Last Updated on 16/04/2026 by Anisa
Ish-deputeti Ervin Salianji ka bërë deklarata të forta në emisionin “Trialog” në RTSH, duke sulmuar drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha dhe duke rikthyer në vëmendje statusin e tij “non grata” në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë intervistës, Salianji theksoi se vendimet për shpalljen “non grata” nuk janë të rastësishme, por lidhen sipas tij me akuza serioze për lidhje me krimin dhe përdorimin e tij për ndikim politik. Ai iu referua edhe zhvillimeve në Mbretërinë e Bashkuar, duke përmendur proceset e ankimimit dhe vendimmarrjen e autoriteteve britanike.
Salianji deklaroi se ka shmangur deri tani përfshirjen në këtë debat publik, por shtoi se e konsideron të nevojshme të flasë hapur për atë që ai e cilësoi si të vërtetë. Në një gjuhë të ashpër, ai u shpreh se Berisha “duhet të shkojë te psikiatri”, duke vënë në pikëpyetje gjendjen e tij mendore.
Në vijim, ai përmendi edhe emra të tjerë të përfshirë në debatet politike të kohëve të fundit. Sipas tij, për Suel Çela ka pasur akuza nga Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhi, të cilët kanë pretenduar se ai ka ushtruar presion dhe kërcënime për qëllime politike në mbështetje të Berishës.
Gjithashtu, Salianji ngriti pikëpyetje edhe për rolin e Ergys Agasi, duke theksuar se emri i tij nuk ishte përmendur në media pranë Berishës deri në momentin që u shpall në kërkim.
“Deri tani e kam shmangur nga debati publik, por të vërtetat duhen thënë, Sali Berisha duhet te shkoje te psikiatri sepse nuk eshte mire menderisht. Berisha është non grata në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, tek vendim marrja e gjykatës, të Britanisë së madhe për ankimimin që ka bërë të home office që Sali Berisha është non grata për shkak të lidhjeve me krimin dhe për shkak të përdorimit të krimit për influencë politike. Për Suel Celën ka pasur akuza nga Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhi në atë kohë që kërcënonte njerëz për të marrë partinë Sali Berisha. Duhet të pyes tek njerëz që rri shumë afër për Ergys Agasin dhe pse deri në momentin që është shpallur në kërkim nuk përmendej në asnjë media që ka linjë editoriale pro Sali Berishës”, u shpreh Salianji.
