Last Updated on 22/12/2025 by EL
Ish-kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lënë ambientet e selisë blu dhe është nisur në këmbë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku qindra mbështetës demokratë janë mbledhur për t’iu përgjigjur thirrjes së tij për protestë kundër asaj që ai e cilëson si “narkoshtet”.
Demokratë nga qytete të ndryshme të vendit janë mbledhur me një qëllim të përbashkët. Sipas tyre, protesta synon rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, të cilën opozita e akuzon për korrupsion dhe për keqqeverisje, duke e konsideruar si shkaktaren kryesore të problemeve të vendit.
Ndërkohë, në Bulevard përpara ambienteve të Kryeministrisë, janë vendosur forca të shumta policie, të cilat kanë krijuar një kordon sigurie. Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa nuk përjashtohen skenarë tensioni apo përplasjeje.
Mbetet për t’u parë në vijim se si do të zhvillohet protesta dhe cila do të jetë lëvizja e radhës apo “asi nën mëngë” i Sali Berishës dhe mbështetësve të tij./e.t
