Last Updated on 08/03/2025 by adminfjala
Ilir Meta, ish-Presidenti i Republikës dhe aktualisht një nga figurat kryesore të opozitës, mund të rifitojë lirinë pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, nëse arrin të sigurojë një mandat deputeti. Pozicioni i tij në listat e koalicionit opozitar i garanton një shans real për t’u zgjedhur, ndërsa Kushtetuta dhe precedentët e mëparshëm krijojnë hapësira ligjore që imuniteti parlamentar ta nxjerrë atë nga masa e arrestit, e cila e ka shoqëruar muajt e fundit.
Fati i Ilir Metës mund të marrë një kthesë të papritur pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, teksa emri i tij mbetet pjesë e listës së kandidatëve për deputetë. Aleati i tij politik, Sali Berisha, i ka ofruar një pozicion të sigurt në listën e koalicionit opozitar, çka e vendos Metën para një skenari ku mandati i mundshëm i deputetit mund të përmbysë masën aktuale të arrestit të dhënë nga Gjykata e Posaçme. Ish-presidenti Ilir Meta u arrestua në tetor të vitit të kaluar për tre akuza, korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë publik, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në të njëtën dosje masë detyrim paraqitje u caktua edhe për ish-bashkëshorten e tij Minika Kryemadhi. Megjithatë Meta pritet të zgjidhet deputet, pasi vetë Berisha e ka pranuar se kreu i Partisë së Lirisë edhe pse në burg do të jetë në listat e sigurta të PD-së. Po a do të përfitojë lirinë bashkë me mandatin e deputetit? Precedentët ekzistojnë dhe duket se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, është në dijeni të këtij skenari, megjithëse për momentin shmang komentet e drejtpërdrejta për emra specifikë. Pyetur nga gazetarët mbi një rast të tillë, Celibashi kujtoi se edhe në vitin 2001, KQZ u përball me një situatë të ngjashme me Azgan Haklajn në Tropojë, kur ai fitoi mandatin e deputetit ndërkohë që kishte masë arresti ndaj tij. “Nuk mund të jap një përgjigje në këtë moment për një çështje që potencialisht mund të bëhet objekt shqyrtimi nga Komisioneri apo dhe nga institucione të tjera,” u shpreh Celibashi, duke lënë të hapur çdo interpretim mbi ecurinë e rastit Meta. Referenca kryesore ligjore në këtë rast mbetet Kushtetuta, e cila e lidh imunitetin parlamentar me momentin e marrjes së mandatit. Sipas Celibashit, një kandidat cilësohet deputet sapo shpallet fitues nga komisioni zgjedhor përkatës. Në këtë moment, ai përfiton edhe të drejtat e plota të mandatit, përfshirë imunitetin parlamentar.
Në këtë kontekst, Neni 71 i Kushtetutës përcakton qartë se “mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve”. Por, përtej këtij parashikimi, situata komplikohet nga Neni 72 i Kushtetutës, i cili shton një hap tjetër formal: betimin e deputetëve në seancën e parë të Kuvendit. Ky betim dhe verifikimi i mandateve nga komisioni ad hoc i ngritur në seancën konstituive janë dy elemente proceduralë që në rastin e Metës mund të kthehen në pikë të nxehtë përplasjesh politike dhe juridike. Nëse ka vullnet politik për ta penguar Metën të rifitojë lirinë, ky proces mund të përdoret si instrument për të vonuar ose bllokuar betimin dhe për pasojë, për të mbajtur në fuqi masën e arrestit. Rasti Meta nuk është thjesht një çështje procedurale apo teknike, por një test i ri për funksionimin e institucioneve zgjedhore, balancën mes pushteteve dhe qëndrueshmërinë e reformës në drejtësi. Zhvillimet e pas 11 majit pritet të tregojnë nëse mandati i deputetit është vërtet një mburojë e pandryshueshme ligjore apo një armë që mund të thyhet nga forca e vullnetit politik.