Last Updated on 10/02/2025 by adminfjala
Nga Roma, ku zhvilloi një takim me shqiptarët e diasporës, ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar dhe për shkatërrimin e institucioneve shtetërore në Shqipëri. Berisha e cilësoi Ramën si një politikan që ka dorëzuar vendin në duart e grupeve kriminale, duke e krahasuar atë me figura të njohura të botës së krimit.
“Sot në zyrën e kryeministrit nuk është një qeveritar, nuk është një qytetar shqiptar. Miqtë e mi, sot kryetari i qeverisë mund të quhej në mënyrë absolute Toto Rino, çfarë të doni ju. Ky është Edi Rama. Edi Rama ia ka dorëzuar Shqipërinë krimit në traditën e baballarëve të tij, të cilët krimin politik, varjen në litar, ekzekutimin para skuadrave të pushkatimit e quanin të dobishëm.
Edi Rama përdor sot krimin për të mposhtur shqiptarët për pushtetin e tij. Sot, Toto Rinat shqiptarë apo El Çapot shqiptarë në krye të qeverisë shumëzojnë me zero qytetarët shqiptarë. Pronat dhe çdo pasuri përrallore e ndan me trafikantët, e ndan me kriminelët, e ndan me klanet e tij. Miqtë e mi, rreziqet e sotme të Shqipërisë janë rreziqe ekzistenciale.
Shqipëria gjithmonë ka pasur rreziqe, por këtë herë të gjitha rreziqet janë mishëruar në një njeri dhe ky njeri është El Çapo shqiptar apo Toto Rino shqiptar”, deklaroi Berisha para mbështetësve të tij në Romë.
Duke iu drejtuar emigrantëve shqiptarë në Itali, Berisha u shpreh i bindur se ata do të jenë vendimtarë në betejën për të ardhmen e Shqipërisë. Ai i ftoi ata të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit dhe të japin kontributin e tyre për të ndryshuar drejtimin e vendit. “Kam ardhur gjithashtu besimplotë tek ju për të ndarë me ju rreziqet e mëdha me të cilat përballet vendi ynë i dashur, Shqipëria.
Kam ardhur tek ju i bindur se çdo shqiptar patriot i lindin nënat për të dashur Shqipërinë. Kam ardhur me bindjen e plotë se çdo shqiptar i lindin nënat për t’i dalë zot Shqipërisë”, vijoi ai. Në fjalën e tij, kreu demokrat vlerësoi ndihmën që Italia i ka dhënë historikisht Shqipërisë, duke përmendur marrëveshjet strategjike mes dy vendeve.
Ai premtoi se me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, bashkëpunimi me Italinë do të thellohet edhe më tej përmes projekteve të reja. “Me qeverinë italiane kemi firmosur qindra marrëveshje bashkëpunimi në të gjitha fushat, por kemi ndërmarrë edhe sipërmarrje me rëndësi strategjike për Europën, siç është gazsjellësi TAP. Projektet e ardhshme do jenë edhe më të mëdha”, tha Berisha.
Në të njëjtën linjë me kreun e PD-së, edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, u bëri thirrje shqiptarëve të regjistrohen dhe të votojnë në zgjedhjet e 11 majit. “Me votën tuaj ne do ta mundim regjimin, do ta zëvendësojmë regjimin me një demokraci evropiane. Vota juaj do të ndalojë dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria, do ta ndalë dëbimin e të rinjve.
Me votën tuaj do ta mundim narkoshtetin me 11 maj, ndaj vetëm një thirrje për çdo njërin prej jush: regjistrohuni, është e vetmja mënyrë që t’i ktheni reston regjimit që ju largoi nga Shqipëria. Ne së bashku do ta çlirojmë Shqipërinë nga llumi politik që zhgërryhet në luks, do ta çlirojmë Shqipërinë nga një regjim narkomanësh që ushqehet në kurriz të popullit më të varfër të Europës”, tha Noka.
Berisha u ndal edhe te vota e diasporës, e cila do të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme. Ai tha se emigrantët nuk mund të manipulohen nga regjimi, ndaj dhe Rama ka frikë nga vota e tyre. “Mrekullia e dytë e madhe që ndodhi ishte vota juaj, votimi i diasporës. Edhe kjo ishte një mrekulli se nuk mblidhen të gjitha.
Po, se votën tuaj Edi Rama nuk e kontrollon dot me bandat, me Bajrët, me Çelët, me të gjithë me radhë, mos t’ua mërzis veshët ju me emrat e vrasësve. Mund të tentojë të blejë 10-15, po nuk u blen dot ju, njerëz të lirë. Ndaj dhe udhëtimi tek ju është udhëtim drejt fitores. Ka tmerr, është penduar.
Shikoni ku arrin, nuk ka skrupull. Nuk njeh pasaportat biometrike italiane, gjermane, franceze, etj. Ju pasaportat biometrike italiane mund t’i përdorni në Shqipëri për çdo gjë, përveç të drejtës kushtetuese të votës, e cila nuk ka asnjë lloj pengese veç frikës së tmerrshme të Edi Ramës nga ju.
Ndaj miqtë e mi, këto zgjedhje janë për ekzistencën e Shqipërisë. Këto zgjedhje janë për të ardhmen e saj. Unë u jap vetëm një të dhënë: në vitin 2009-2013, 118 mijë emigrantë u kthyen në Shqipëri. Unë u jap fjalën e nderit që ju kursimet tuaja, të ardhmen tuaj të vini ta ndërtoni në Shqipëri. Nuk ka vend si Shqipëria në botë. Shqipëria është e bukura e dheut. Është vendi më i bukur, më i pasur se në çdo vend tjetër. 5 vite pa asnjë taksë në Shqipëri. I keni paguar ju taksat prej 20-30 vitesh me remitancat që keni dërguar në Shqipëri. Nuk ka taksa.
Të ktheheni dhe të ndërtoni suksesin në Shqipëri siç e keni ndërtuar në Itali. Unë e di se ju të gjithë ndani kursimet tuaja me familjet në Tiranë sepse pensionet e tyre janë qesharake. Një pensionist e ka pensionin sa e ka qeni i shtëpisë në Gjermani. Po, po. Paguan 130 euro për qenin. 100 euro për macen.
Dhe rrin e u thotë, përmbyset Shqipëria nëse rrisim pensionet. Si u përmbytka Shqipëria? Pyesni pak prindërit tuaj, a u dyfishuan pensionet në vitet 2005-2013? Si u bë ajo? Po sigurisht, ata janë aksionerë në pasurinë kombëtare. Ata kanë shkrirë djersën, mundin në pasurinë kombëtare dhe buxheti duhet t’u japë atyre.
Dhe unë u garantoj se në 3 muajt e parë do të përmbyset shpërndarja e të ardhurave dhe buxhetit. Do vendoset minimumi jetik. Nuk do ketë pension nën 200 euro, nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro, nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro. Shqipëria do të transformohet dhe ju do të jeni aksionerët kryesorë të këtij transformimi”, u shpreh Berisha.