Last Updated on 11/05/2026 by Anisa
Pavarësisht reagimit të fortë të Bashkimit Europian, i cili mbrojti ambasadorin e tij në Tiranë, Sali Berisha nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me deklaratat e tij ndaj diplomatit europian.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, kreu i Partisë Demokratike u pyet për qëndrimin zyrtar të Bashkimi Europian, i cili një ditë më parë i konsideroi të papranueshme sulmet e bëra ndaj ambasadorit në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Berisha deklaroi se respekton institucionet europiane dhe përfaqësuesit e tyre, por këmbënguli se deklaratat e tij bazohen në burime të shumta dhe nuk do të tërhiqet nga ato që i cilëson si denoncime të nevojshme.
“Çdo gjë që kam thënë, e kam pasur dhe e kam të bazuar në dy ose më shumë burime. Kam respektin më të madh për Komisionin Europian dhe për ambasadorët e vendeve anëtare, por nuk ka asgjë që më pengon të denoncoj atë që e konsideroj të padrejtë. Nuk kam ndërmend të ndalem,” u shpreh ai.
Ai shtoi gjithashtu se nuk synon përplasje me BE-në, por as nuk pranon, sipas tij, “akte të papranueshme”, të cilat pretendon se i ka denoncuar prej vitesh dhe do të vazhdojë t’i denoncojë.
Një ditë më parë, Bashkimi Europian reagoi zyrtarisht ndaj deklaratave të Berishës, duke i cilësuar sulmet ndaj ambasadorit Gonzato si të papranueshme dhe duke shprehur mbështetje të plotë për punën e tij në Shqipëri.
