Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një intervistë ekskluzive për Klan News të martën, foli mbi aktualitetin politik, protestat e 15 ditëve të fundit dhe çështje të tjera. Gazetari Besard Jacaj e pyeti se nëse ai mund të jetë akoma ndryshimi për vendin, pasi ka së paku 36 vite në skenën politike.
Berisha u përgjigj se ndihet akoma i ri në moshë dhe se tashmë ka përballë betejën më të madhe, atë kundër narko-shtetit, që e cilësoi si formën më të rëndë të diktaturës.
“Sot pas kaq shumë vitesh, në krye të PD-së, jam të paktën 100 herë më i aftë në drejtimin e saj, në vlerësimin e zhvillimeve të situatave sesa kur isha kardiolog dhe pastaj politikan fillestar në pak ditë apo pak javë. Kjo është e vërteta.
Që në momentin e parë që Sali Berisha konstaton se ka një problem pamundësie minimale për shkak të viteve, nuk ka asnjë mëdyshje në vendimin e tij për të thënë ‘mirupafshim’, por deri sa ajo eksperiencë kolosale e viteve mund të përdoret në funksion në betejën me të keqen. Kësaj radhe, unë u përballa në betejë me të keqen më të madhe, sepse narko-shteti është forma më e rëndë e diktaturës”, deklaroi Berisha.
Berisha për Ramën: Ka dy rrugë për ta larguar, si Çaushesku ose padroni në Beograd
Lideri historik i demokratëve hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe mundësinë e rotacionit politik.
Ai u ndal te përqendrimi i pushtetit në duart e mazhorancës socialiste, duke iu referuar zhvillimeve politike të dekadave të fundit.
“Sali Berisha dorëzoi pushtetin në vitin 2013 me koalicionin e tij, 48% të pushteteve. Ndaj, i dashur, nga viti ’92 deri në vitin 2012 patën vend katër rotacione. Shqipëria kaloi kriza në rrugë demokratike. Më vonë, sipas këtij instituti, kur u fut drejtësia e tëra në xhep, Edi Rama dhe PS-ja, arrin të ketë 90% të pushtetit në vitin 2020. Padroni i tij në Beograd, që u përmbys, nuk ka pasur më shumë se 60% të pushtetit.”
I pyetur për rolin e opozitës në këtë situatë dhe nëse ajo mban ndonjë përgjegjësi, Berisha theksoi se kryeministri nuk është i gatshëm të largohet nga pushteti përmes një procesi normal politik.
“Nëse kryeministri vendos të mos e dorëzojë pushtetin, bëj ç’të duash, nuk ja merr dot! Ka dy rrugë, si Çaushesku ose padroni në Beograd. Tani i iku koha atij! Nuk ke parë në Shqipëri, djem dhe vajza që kanë dalë në protestë.”
Kreu i demokratëve u pyet edhe për atë masë qytetarësh që janë kritikë ndaj opozitës. Në përgjigjen e tij, Berisha nënvizoi se opozita është një mision duke sjellë si argument përvojën e tij shumëvjeçare në politikë.
“Në këto 35 vite politikë, kam 13 vite në pushtet, të gjitha të tjerat në opozitë. Opozita është mision real, unë kam qëndruar në opozitë duke u votëbesuar me dhjetëra herë.”
I pyetur konkretisht për rezultatin e fundit të brendshëm të partisë dhe mbështetjen që gëzon, Berisha pretendoi se një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë nuk pranon të përfshihet në garën politike, pasi, sipas tij, procesi zgjedhor nuk ofron kushte të barabarta.
“Nga viti 2009, Edi Rama nuk është votuar asnjëherë të vetme. Aty s’votohet njeri, janë të gjitha emërime. E nisi karrierën si kryeministër për 200 milionë euro të fshehura në bankat offshore. Berisha ka dy vettinge, i vetmi politikan në Europë, ku kanë gjetur zero! Kanë gjetur ligjin dhe vetëm ligjin”, shtoi më tej.
Berisha për protestën e studentëve: ”Do të jemi aty deri në fund”
Ai u ndal edhe te protesta e studentëve, duke deklaruar se mbështetja e Partisë Demokratike për ta është e pakufishme.
Berisha theksoi se strukturat e PD-së dhe forumi rinor janë pjesë e protestës që prej minutave të para dhe do të qëndrojnë deri në fund, duke argumentuar se prania e demokratëve nuk e dobëson lëvizjen, por i jep asaj forcë. Njëkohësisht, ai akuzoi mbështetësit e kryeministrit Edi Rama se po përpiqen të zbehin protestën përmes thirrjeve “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”, të cilat i cilësoi si mashtrime…
Studentët, incidenti me Klevis Balliun dhe 21 Janari
Berisha akuzoi policinë se dhunoi studentët gjatë protestave në Tiranë, duke i cilësuar efektivët si “narko-banditë dhe mercenarë”. Ai pretendoi gjithashtu se incidenti me deputetin Klevis Balliu, i cili përfundoi në Lanë, ishte organizuar nga një agjente e policisë kriminale.
“Ai që bëri incidentin tek Lana me Klevis Balliun është agjente e policisë kriminale. Ajo bën sikur është e sëmurë psikike, por është e paguar për aktin që bën. Elementi tjetër është kontigjent i ekstremit të majtë. Deputetët tanë kanë qenë nën stop në këtë protestë, deputetët tanë janë përballur dhëmbë për dhëmbë me policinë. Parlamenti sot është ilegjitim, sepse është i dalë nga krimi”, vlerësoi Berisha.
Duke folur për 21 Janarin, Berisha deklaroi se protesta e asaj kohe u bazua në një video të montuar dhe se policia përdori armët në përputhje me ligjin.
“Protesta e 21 Janarit bazohej në një video të montuar, u krijua në një falsitet. Aty lakohej një njeri, që nuk lidhje fare. Në 21 janar, policia mbajti qëndrim ligjor, 120 policë janë plagosur atë ditë dhe efektivët kanë marrë përgëzime nga gjithë ndërkombëtarët. Armët e zjarrit janë përdorur në përputhje me ligjin. Në atë kohë ka qenë prokurore një kundërshtare e imja”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, Rama kontrollon drejtësinë e re dhe se fajëson forcat e huaja për zhvillimet në vend.
“Rama flet si etërit e tij, që gjen “të këqijtë” jashtë vendit. Kjo, sepse nuk pranon dot barbarinë e kryera mbi studentët. Por, Rama do e paguajë. Ne si PD respektojmë pronën private, Dora e zezë e Edi Ramës kontrollon edhe drejtësinë e re”, deklaroi Berisha.
Duke komentuar paketën fiskale, e cila pritet të prezantohet nesër nga qeveria, Berisha pretendoi se ndryshimet e parashikuara do të kenë pasoja negative për bizneset dhe investimet e huaja në Shqipëri.
“Ato dëmtohen shumë në të gjitha pikat. Dëmtohen në uljen e nivelit të xhiros nga 10 milionë, në 5 milionë për TVSH. Ata dëmtohen shumë në taksën e dividendit, e cila pothuajse dyfishohet. Dëmtohen në rritje e TVSH-së. Kjo është një goditje e rëndë që marrin bizneset dhe investimet e huaja. Në dhjetë vitet e fundit nuk ka asnjë investitor të huaj serioz që ka ardhur në Shqipëri“, tha ai.
Kreu i demokratëve u shpreh se opozita ndodhet në fazën përfundimtare të betejës së saj politike, të cilën e cilësoi si më të vështirën, por deklaroi se Edi Rama nuk ka të ardhme politike.
“Ne jemi në kilometrin e fundit, gjithmonë kilometri i fundit është më i vështiri, por Edi Rama nuk ka të ardhme. Kryeministri rrit taksat, sepse vjedhin të gjithë si lukuni. Si mund të bëhen ministrat kaq zengjinë me rrogë shteti“, tha ai.
Gjatë intervistës në Klan News, kryedemokrati u pyet edhe për qëndrimin e tij ndaj listave të hapura në zgjedhje. Berisha u shpreh pro këtij sistemi, duke deklaruar se do ta mbështeste menjëherë.
Berisha pretendoi se ndryshimet e mëparshme në Kodin Zgjedhor në vitin 2008 iu imponuan nga Edi Rama.
“Absolutisht po, që nesër, pa asnjë diskutim, me kënaqësi të madhe. Kurrë nuk do ta pranoja, por na e impunuan. Na e imponoi Rama me përfaqësuesit e tij, ai kishte vota, ne nuk kishim votat. Nuk kishim alternativë, ose të bojkotonim zgjedhjet, ose të pranonim Kodin”, tha ai./ad
