Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se problemi më i madh me të cilin haset vendi është ai i pasigurisë, jo veëm të jetës, por edhe të pronës, veprimtarisë dhe ekonomisë.
Duke folur në një tryezë me demokratët në selinë blu, Berisha tha se kjo pasiguri vjen edhe prej kapjes së shteti, që sipas tij, ka Shqipërinë nën kthetra.
“Debatojmë së bashku problemin më themelor, më të rëndësishëm që është problemi i sigurisë. Në një shtet, në një vend, në një shoqëri asgjë nuk ka më të rëndësishme se sa siguria e qytetarit, siguria e jetës, e pronës, e veprimtarisë së tij. Por, qytetari shqiptar për të garantuar sigurinë e tij, largohet nga vendi më i pasigurtë në Europë që është Shqipëria dhe kudo që shkon, shkon në një vend më të sigurtë. Sot me dhjetra e dhjetra studiues, analistë, por dhe hetues ndërkombëtarë, prokurorë, kanë cilësuar dhe vlerësuar Shqipërinë si narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë. Si narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë! Çka do të thotë shteti është i kapur tërësisht, është në kthetrat e mafies. Në fakt, pse mafia e drogës? Është mafia e miliarderëve. Ajo është mafia e miliardave”,-tha Berisha./mxh
