Last Updated on 30/07/2025 by adminfjala
Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot ceremoninë e betimit për 26 prokurorët e rinj që do të bëhen pjesë e sistemit të drejtësisë dhe do të shërbejnë si magjistratë në institucionin e akuzës.
Në ceremoni merrnin pjesë anëtart e KLP-së, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokurorisë dhe organizmave të tjerë.
Të 26 prokurorët e rinj firmosën betimin në ceremoni dhe iu dorëzua certifikata nga përfaqësues të institucionit.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeprokurori Olsian Çela, i cili në fjalën e tij të shkurtër para magjistratëve të betuar, vuri theksin te entuziazmi i tyre me të cilin do përballojnë vështirësitë dhe përkushtimi që duhet të kenë ndaj qytetarëve dhe publikut për të vendosur drejtësi.
Ai tha se Prokuroria po kalon moment të vështirë edhe për shkak të mbingarkesës nga mungesa e organikës pas reformës në drejtësi.
“Të bësh prokurorin, s’është thjeshtë vetëm që të zbatosh kodin procedurial, por të jeni si pjesë e një familje të madhe dhe të punoni për qytetarët dhe publikun. Të jeni pjesë e një familjeje të madhe. Prokuroria po kalon moment të vështirë, ka mbingarkesë dhe do e ndjeni në shpatullat tuaja dhe do përballeni me vështirësi. Por besoj se me entuziazmin që keni dhe mbështetjen e kolegëve, Prokurorisë dhe KLP-së, do kryeni me sukses dhe profesionalizëm detyrën tuaj. Ndaj duke mos u zgjatur më dua t’ju uroj suksese në punën dhe detyrën tuaj profesionale”, tha Çela./E.T