Last Updated on 19/01/2026 by Monika
Bia Khalifa i ka dhënë fund rrugëtimit të saj në “Big Brother VIP Kosova 4” të premten, por largimi nga shtëpia duket se ishte vetëm fillimi i zhurmës rreth saj. Vetëm pak orë pas eliminimit, ajo zhvilloi një transmetim live në rrjetet sociale, ku vendosi të flasë hapur për një temë që prej javësh qarkullonte si thashethem.
Gjatë komunikimit me ndjekësit, Bia konfirmoi se brenda shtëpisë ishte gjetur një telefon që, sipas saj, i përkiste Albe Pollozhanit. Një pretendim që më herët ishte përfolur në TikTok dhe rrjete sociale, por që deri tani nuk ishte konfirmuar zyrtarisht. Ajo theksoi se, ndonëse telefoni ishte zbuluar, çështja nuk u trajtua më tej brenda formatit dhe nuk pati asnjë sqarim publik për banorët apo për audiencën.
Deklarata e saj ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si menaxhohen shkeljet e rregullave në një format ku izolimi nga bota e jashtme është thelbësor. Deri më tani, produksioni i “Big Brother VIP Kosova 4” nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtyre pretendimeve.
Heshtja e produksionit ka nxitur edhe më shumë debat mes ndjekësve të spektaklit, të cilët po kërkojnë transparencë dhe sqarime. Nga ana tjetër, Bia la të nënkuptohet se ka edhe ngjarje të tjera brenda shtëpisë që nuk janë bërë publike dhe që vazhdojnë të përfliten në rrjet.
Mbetet të shihet nëse në ditët në vijim do të ketë një reagim zyrtar, apo nëse kjo çështje do të mbetet një tjetër polemikë e pazbardhur e këtij sezoni të BBVK./mxh
