Last Updated on 19/08/2026 by Anisa
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, feston sot 80-vjetorin e lindjes. I lindur më 19 gusht 1946 në Hope të Arkansasit, William Jefferson Clinton do të bëhej presidenti i 42-të i SHBA-së, duke drejtuar vendin nga viti 1993 deri më 2001.
Jeta e tij nisi mes vështirësive. Babai biologjik, William Jefferson Blythe Jr., humbi jetën në një aksident automobilistik vetëm tre muaj para lindjes së tij. Clinton u rrit fillimisht me nënën dhe gjyshërit, ndërsa në moshën katërvjeçare mori mbiemrin e njerkut, Roger Clinton. Fëmijëria e tij u shoqërua me vështirësi familjare, pasi njerku ishte i varur nga alkooli dhe bixhozi dhe ushtronte dhunë ndaj nënës së tij.
Megjithatë, Clinton u dallua që herët për suksesin në shkollë dhe interesin për politikën. Në vitin 1963, si nxënës i shkollës së mesme, ai u zgjodh delegat në programin Boys Nation, ku pati mundësinë të takohej me presidentin John F. Kennedy në Shtëpinë e Bardhë. Ky takim do të mbetej një nga momentet më të rëndësishme të rinisë së tij.
Pas studimeve në Georgetown dhe Oxford, Clinton ndoqi Fakultetin Juridik të Yale-it, ku u njoh me Hillary Rodham. Të dy u martuan në vitin 1975 dhe kanë një vajzë, Chelsea Clinton.
Karriera e tij politike nisi në Arkansas, ku shërbeu si prokuror i përgjithshëm dhe më pas si guvernator. Në vitin 1992, Clinton fitoi zgjedhjet presidenciale, duke mposhtur presidentin George H.W. Bush dhe duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme të politikës amerikane të viteve ’90.
Gjatë presidencës së tij, Clinton u përball me çështje të rëndësishme ndërkombëtare dhe vendore, ndërsa administrata e tij luajti rol edhe në vendimmarrjen amerikane dhe ndërkombëtare lidhur me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
Edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Clinton mbeti një figurë e njohur dhe aktive në jetën publike. Ai u angazhua në iniciativa humanitare, përfshirë ndihmën për Haitin pas tërmetit shkatërrues të vitit 2010.
