Billie Eilish ka folur hapur për një nga sfidat më personale të jetës së saj, duke zbuluar se gjatë gjithë karrierës është përpjekur të mbajë nën kontroll tik-et e shkaktuara nga Sindroma Tourette.
Në një bisedë në podkastin “Good Hang” me Amy Poehler, këngëtarja tregoi se shpesh përpiqet t’i “shtypë” tik-et e saj, sidomos gjatë intervistave apo para kamerave, për të shmangur shpërqendrimin. Megjithatë, ajo pranoi se ka edhe tik-e në gjunjë, bërryla dhe gishta, të cilat bëhen më të theksuara pikërisht kur përpiqet t’i fshehë.
Madje, gjatë intervistës, Eilish rrëfeu se edhe në momentet që fliste po bënte pikërisht këtë, po përpiqej të kontrollonte çdo tik që mund të shihej nga kamera.
“Po bëj çmos për të shtypur çdo tik që është i dukshëm,” tha ajo.
Në një moment, Amy Poehler e falënderoi për sinqeritetin, duke pranuar se kjo bisedë e ndihmoi të kuptonte më mirë rreth kësaj sindrome. Eilish e çoi më tej këtë ide, duke shpjeguar sa sfiduese është kjo për njerëzit me Tourette:
“Imagjinoni të keni mendime të papritura dhe goja juaj të detyrohet t’i thotë ato me zë të lartë.”
Sipas saj, ky është një realitet i përditshëm për shumë persona me këtë sindromë, ndërsa shtoi se aftësia për të kontrolluar tik-et është një “privilegj” që jo të gjithë e kanë.
Këngëtarja zbuloi se është diagnostikuar me sindromën Tourette që në moshën 11-vjeçare, por për një kohë të gjatë hezitoi të fliste publikisht për këtë. Vetëm në vitin 2018 vendosi të jetë e hapur, pasi në internet nisën të qarkullonin video që përqendroheshin te tik-et e saj gjatë intervistave, shpesh të keqkuptuara nga publiku.
Sindroma Tourette është një çrregullim neurozhvillues që shfaqet zakonisht në fëmijëri dhe karakterizohet nga tik-e motorike dhe vokale që zgjasin për më shumë se një vit. Simptomat shpesh ndryshojnë në intensitet me kalimin e kohës dhe në shumë raste përmirësohen ndjeshëm në moshë madhore.
Rrëfimi i Billie Eilish vjen si një kujtesë e rëndësishme për të kuptuar më mirë sfidat e padukshme me të cilat përballen shumë njerëz çdo ditë, edhe kur nga jashtë gjithçka duket nën kontroll./mxh
