I dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, tha se është bërë përparim i konsiderueshëm në bisedimet e sotme në Berlin midis zyrtarëve të lartë amerikanë dhe ukrainas mbi përpjekjet e fundit për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Në takimin midis delegacioneve amerikane dhe ukrainase morën pjesë Witkoff, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump.
“Përfaqësuesit zhvilluan diskutime të thella. U bë shumë përparim dhe ata do të takohen përsëri nesër në mëngjes”, tha Witkoff në një postim në X.
Pas pesë orësh diskutimesh me të zgjedhurit e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, presidenti ukrainas pret takimin e nesërm me kancelarin Friedrich Merz dhe Macron dhe Starmer, si dhe udhëheqës nga vende të tjera evropiane dhe vende të NATO-s, në mënyrë që të nxirret një përfundim i sigurt në lidhje me atë që do të ndodhë.
Nesër, Zelensky, së bashku me Kancelarin gjerman Friedrich Merz, do të marrin pjesë në një konferencë ekonomike gjermano-ukrainase. Kancelari Merz ka ftuar gjithashtu 12 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane, si dhe udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s. Në takim, evropianët synojnë të riafirmojnë solidaritetin e tyre me Ukrainën, pavarësisht nga kontaktet e vazhdueshme SHBA-Rusi./mxh
