Pasiguria globale dhe tensionet gjeopolitike po shtyjnë gjithnjë e më shumë gjermanë të investojnë në bunkerë privatë. Këtë e konfirmon kompania gjermane e ndërtimit të strehimoreve “Deutsches Schutzraum-Zentrum”, e cila raporton një rritje të vazhdueshme të kërkesës.
Drejtuesi i kompanisë, Peter Aurnhammer, thotë se klientët vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke përfshirë fermerë, politikanë dhe familje me fëmijë të vegjël. Sipas tij, gjithnjë e më shumë njerëz po shqetësohen për zhvillimet politike në botë dhe po kërkojnë mënyra për të garantuar sigurinë e familjeve të tyre.
Bunkerët e ofruar nga kompania janë të pajisur me krevate, rezerva ushqimore dhe uji për raste emergjente, si dhe sisteme ventilimi që mund të funksionojnë edhe pa energji elektrike. Sipas ndërtuesve, filtrat e ajrit ofrojnë mbrojtje ndaj agjentëve biologjikë, kimikë dhe ndotjes radioaktive.
Çmimi i një strehimoreje fillon nga rreth 35 mijë euro për objektet që ndërtohen si pjesë e një banese të re dhe mund të kalojë 100 mijë euro kur bunkeri shtohet në një ndërtesë ekzistuese.
Interesi për strehimoret është rritur ndjeshëm në Gjermani pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Qeveria gjermane ka ndalur çmontimin e bunkerëve publikë dhe po punon për plane të reja të mbrojtjes civile.
Sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen Civile, Gjermania disponon aktualisht 579 strehimore publike, por ato nuk janë funksionale. Në rast emergjence, kapaciteti i tyre do të mjaftonte për vetëm rreth 477 mijë persona, në një vend me më shumë se 83 milionë banorë.
Rritja e kërkesës për bunkerë privatë shihet si një tregues i shqetësimeve në rritje të qytetarëve evropianë për sigurinë dhe stabilitetin në një botë gjithnjë e më të pasigurt./mxh
