Last Updated on 03/06/2026 by EL
Analizë e bazuar në një vrojtim statistikor kombëtar
Nga Eduard Zaloshnja, PhD
Në prill drejtova një vrojtim statistikor të CSDG-së mbi perceptimet, përvojat dhe njohuritë e publikut për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri. Studimi u financua nga Ambasada Gjermane dhe u bazua në një kampion të rastësishëm e të shtresëzuar prej 1111 të rriturish në të 12 qarqet, duke siguruar përfaqësim demografik, gjeografik dhe politik me një marzh gabimi statistikor nën 2.9%. Të anketuarve iu bënë 48 pyetje përmbajtësore dhe 18 statistikore. (Studimin e plotë mund ta lexoni në linkun: https://csdgalbania.org/publications/Opinionet_e_Shqiptareve_per_Sistemin_e_Drejtesise.pdf ).
Perceptimi i përgjithshëm për Reformën në Drejtësi
Mbi dy të tretat e shqiptareve kanë opinion pozitiv ose relativisht pozitiv për Reformën në Drejtësi, teksa pothuaj të gjithë të anketuarit pajtohen me idenë se një reformë e tillë ishte e nevojshme. Sidoqoftë, kjo mbështetje e përgjithshme nuk përputhet me perceptimin rreth ndikimit të reformës në nivel personal: vetëm një e katërta e të anketuarve raportojnë se reforma ka ndikuar në jetën e tyre të përditshme.
Shqetësimet për korrupsionin dhe efektivitetin vazhdojnë
Pavarësisht procesit të Vetingut dhe ristrukturimit institucional, perceptimet për korrupsionin mbeten të përhapura. Më shumë se katër në pesë të anketuar hamendësojnë se korrupsioni në Sistemin e Drejtësisë vazhdon. Lufta kundër korrupsionit identifikohet nga të anketuarit si prioriteti kryesor për pesë vitet e ardhshme, pasuar kjo nga mbrojtja e të drejtave të qytetarëve dhe nga përmirësimi i profesionalizmit.
Besimi i publikut në efektivitetin e sistemit është i kufizuar. Një shumicë e konsiderueshme janë të mendimit se Sistemi i Drejtësisë nuk i mbron të drejtat e qytetarëve siç duhet dhe të shumtë janë ata që i perceptojnë institucionet gjyqësore vetëm pjesërisht të paanshme apo transparente.
Vlerësimet institucionale
Opinioni i publikut është i ndryshëm për institucione të ndryshme:
SPAK gëzon mbështetje të fortë në përgjithësi, me pothuaj 72% që shprehin për të një opinion pozitiv ose relativisht pozitiv. Megjithatë, përgjigjet pozitive janë më të pakta në vlerësimin e luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Posaçme për Korrupsionin/Krimin e Organizuar marrin vlerësime pozitive, megjithëse një pjesë e konsiderueshme e popullsisë mbetet skeptike për pavarësinë e tyre nga ndikimet politike dhe nga të tjera ndikime të jashtme.
Gjykata e Lartë shihet më pozitivisht, sidomos në lidhje me rolin e saj në reduktimin e pritshëm të paraburgimit, por një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve raportojnë njohje të kufizuar të veprimtarisë së saj në pëgjithësi.
Institucionet e tjera të drejtësisë, përfshirë gjykatat lokale dhe prokuroritë, marrin vlerësime kryesisht negative, ndërkohë që njohuritë për organet e reja mbikëqyrëse të Sistemit të Drejtësisë mbeten shumë të ulëta.
Aksesi në drejtësi dhe rezultatet e çështjeve gjyqësore
Rreth një e katërta e të anketuarve raportojnë se familja e tyre ka qenë e përfshirë në çështje gjyqësore gjatë dekadës së fundit, gjë që shënon një rënie në krahasim me gjetjet e një studimi të para një dekade. Përqindja e zgjidhjes së çështjeve gjyqësore mbetet e ulët, me vetëm dy nga pesë të përfunduara. Çështjet shpeshherë zgjasin shumë dhe kënaqësia nga vendimet gjyqësore është e moderuar, me afërsisht tre në pesë të anketuar që shprehin kënaqësi për to.
Harta gjyqësore dhe mundësia e aksesit në sistem
Ndonëse shumë nga të anketuarit nuk raportojnë ndryshime të drejtpërdrejta në vendndodhjen e gjykatave apo të prokurorive të rretheve të tyre, shumica besojnë se harta e re gjyqësore ka ndikuar në krijimin e vonesave për zgjidhjen e çështjeve. Kjo na shtyn të mendojmë se reformat strukturore mund të kenë sjellë pasoja anësore negative për aksesin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.
Qëndrimet ndaj korrupsionit
Toleranca ndaj korrupsionit mbetet shqetësim i rëndësishëm. Shumica e të anketuarve e konsiderojnë të pranueshme që, në rrethana të caktuara, të ofrojnë pagesa nën dorë për gjyqtarët ose prokurorët, dhe më shumë se gjysma raportojnë se praktika të tilla janë përdorur konkretisht në rrethin e tyre familjar/shoqëror. Këto gjetje nxjerrin në pah sfidën e vazhdueshme për nxitjen e një kulture të sundimit të ligjit.
Njohuritë gjyqësore dhe ndërgjegjësimi ligjor
Nivelet e ndërgjegjësimit ligjor në publik janë të ulëta. Një e katërta e të anketuarve nuk arritën të përmendnin as edhe një të drejtë të vetme kushtetuese. Dhe mbi një e treta e atyre që pëmendën një, nuk arritën të përmendnin një të dytë. Në mënyrë të ngjashme, shumica e të anketuarve nuk kanë kërkuar në mënyrë aktive informacion për ligjet e vendit. Njohuritë për procedura themelore ligjore, të tilla si afatet kohore për të çuar një person të arrestuar para gjyqtarit, janë gjithashtu të ulëta.
Konkluzion
Teksa Reforma në Drejtësi, në parim, mbështetet gjerësisht nga qytetarët shqiptarë, dhe teksa institucionet kryesore kanë fituar një shkallë të konsiderueshme besimi ndër ta, ende mbeten sfida të rëndësishme. Ndër to, përfshihen perceptimet e vazhdueshme të korrupsionit, besimi i kufizuar në efektivitetin institucional, pengesat për akses dhe efikasitet, si dhe niveli i ulët i ndërgjegjësimit ligjor të popullatës.
Adresimi i këtyre çështjeve do të jetë kritik për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit të publikut në Sistemin e Drejtësisë gjatë viteve në vijim./ET
