Last Updated on 19/10/2026 by EL
Disa vite më parë, një biznesmen i njohur dhe i suksesshëm shqiptar shkoi në një spital në Francë, i shqetësuar për gjendjen e tij shëndetësore. Pasi kreu analizat dhe kontrollet përkatëse, mjeku francez e pa në sy dhe i tha:-Je i sëmurë. Ka vetëm një rrugë për t’u përmirësuar: duhet të heqësh dorë nga puna.
– Çfarë?! -pyeti i habitur biznesmeni.
– Duhet të lësh punën, – përsëriti mjeku.
– Si mund ta lë punën?!- reagoi i çuditur dhe i alarmuar shqiptari.
– Ka vetëm një rrugë, – këmbënguli për herë të tretë mjeku francez. – Të heqësh dorë nga puna. Pra e kishte fjalën për punën si burim stresi.
Kjo është një histori e vërtetë, të cilën e kujtoj sa herë ndeshem me njerëz që e shohin biznesmenin thjesht si një njeri që ka lekë. Njerëz që nuk arrijnë të kuptojnë se pas pasurisë, pas një kompanie të suksesshme apo pas një standardi të mirë jetese, mund të fshihet një botë e tërë sakrificash, përgjegjësish, stresi dhe angazhimi të pandërprerë.
Për këta njerëz, biznesmeni nuk është një faktor zhvillimi, një krijues vlerash dhe mundësish punësimi, një njeri që, përtej familjes së vet, merr përsipër përgjegjësi ndaj qindra apo mijëra familjeve të tjera. Ai është thjesht “një njeri që ka lekë”. Dhe pikërisht në këtë këndvështrim të varfër, të cekët lindin paragjykimet, anatemimet dhe mallkimet ndaj biznesit, sikur suksesi ekonomik të ishte në vetvete një faj dhe jo, në radhë të parë, rezultat i një pune të madhe.
Është po ky mentalitet që e bën të lehtë për disa njerëz të justifikojnë edhe akte barbare, si shkatërrimi i bizneseve, i dyqaneve dhe i pronave të sipërmarrësve. Pamjet e dëmtimeve të bizneseve në Tiranë nga persona që, të maskuar, e konsiderojnë veten trima, nuk janë vetëm pamje të një dhune të drejtuar kundër pronës private. Ato janë shprehje e një mendësie që nuk arrin të kuptojë se çfarë përfaqëson një biznes dhe sa shumë njerëz mund të preken nga shkatërrimi i tij.
Sepse, kur dëmton një biznes, nuk dëmton vetëm pronarin. Dëmton punonjësit që sigurojnë jetesën me pagën e tyre, familjet që varen prej saj, furnitorët që presin të paguhen, investimet që mund të mos realizohen më dhe të ardhurat që shteti nuk do t’i mbledhë. Dëmton, në fund të fundit, një pjesë të ekonomisë dhe të mirëqenies së përbashkët.
Në librin e tij “Baba i pasur, baba i varfër”, Robert Kiyosaki e përshkruan sipërmarrësin si një njeri që, edhe kur arrin rezultate të mira financiare, vazhdon të punojë pa pushim. Në një farë mënyre, fitimet nuk e çlirojnë domosdoshmërisht nga puna; përkundrazi, suksesi mund t’i shtojë detyrimet dhe përgjegjësitë. Kompania duhet të funksionojë, punonjësit duhet të marrin pagat, klientët duhet të shërbehen, investimet duhet të vijojnë dhe vendimet duhet të merren çdo ditë. Për biznesmenin, fundi i një viti financiar nuk shënon domosdoshmërisht fundin e shqetësimeve. Shpesh, ai është vetëm fillimi i sfidave të reja.
Por këtë realitet e shpreh edhe më thellë një ide e Erich Fromm-it, sipas së cilës njeriu modern rrezikon të bëhet një pjesë e mekanizmit që vetë ka ndërtuar, duke humbur lirinë dhe kënaqësinë e jetës në përpjekjen për të përmbushur kërkesat e tij. Kjo vlen veçanërisht për sipërmarrësin, i cili mund të jetë pronar i një kompanie, por jo gjithmonë zot i kohës së vet. Ai mund të ketë mundësi të blejë një makinë të mirë, të ndërtojë një shtëpi të bukur apo të bëjë një ose dy pushime në vit, por pas këtyre gjërave mund të fshihet një çmim që nuk duket në asnjë bilanc financiar: net pa gjumë, stres i vazhdueshëm, vendime të vështira dhe përgjegjësi që nuk mund të shtyhen për nesër.
Të jesh biznesmen nuk është thjesht të kesh kapital, të hapësh një aktivitet apo të synosh fitimin. Kërkon cilësi të veçanta, guxim për të marrë përsipër rreziqe, aftësi për të marrë vendime në pasiguri dhe këmbëngulje për të vazhduar edhe kur rezultatet nuk janë ato që prisje. Mbi të gjitha, kërkon vetëdijen se vendimet e tua nuk ndikojnë vetëm mbi jetën tënde. Ato mund të përcaktojnë fatin e një kompanie, të ardhmen e punonjësve të saj dhe mirëqenien e shumë familjeve.
Prandaj, përpara se ta gjykojmë biznesmenin, duhet të kuptojmë çfarë përfaqëson ai. Përpara se ta mallkojmë biznesin, duhet të kuptojmë se çfarë i jep ai shoqërisë. Dhe përpara se të shkatërrojmë një biznes, duhet të mendojmë se sa shumë jetë njerëzish mund të prekim me atë akt.
Nuk është e nevojshme të jesh biznesmen për ta kuptuar këtë. Mjafton të kuptosh se pas çdo vendi pune është një njeri, pas çdo page është një familje dhe pas çdo kompanie që funksionon janë shumë hallka të një ekonomie nga e cila përfitojmë të gjithë.
Një shoqëri që nuk respekton punën, investimin dhe sipërmarrjen, rrezikon të shkatërrojë pikërisht burimet që i krijojnë mundësitë për të ecur përpara. Biznesmeni nuk duhet të demonizohet. Ai duhet të vlerësohet për atë që krijon, të mbahet përgjegjës për atë që bën dhe të mbrohet, njësoj si çdo qytetar tjetër, nga dhuna dhe shkatërrimi. Pasi një biznes mund të jetë pronë e një individi, por vlera e tij nuk përfundon te pronari. Ajo shtrihet te punonjësit, te familjet, te furnitorët, te shteti dhe te e gjithë shoqëria.
Dhe këtë të vërtetë duhet ta kuptojmë përpara se të jetë tepër vonë: kur shkatërrojmë një biznes, nuk po i marrim diçka vetëm një biznesmeni. Po i heqim një pjesë të mundësive edhe vetes, ekonomisë dhe vendit ku jetojmë.
