Last Updated on 18/10/2026 by EL
Blendi Fevziu ka reaguar pas pesë ditësh protestash dhe përplasjesh në Tiranë, duke bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje politike dhe për kompromis mes palëve.
Përmes një mesazhi, gazetari i njohur kujton se e ka përjetuar Shqipërinë në disa prej momenteve më të vështira të historisë së saj, që nga viti 1991 deri te trazirat e vitit 1997. Ai ngre pikëpyetje për situatën e krijuar, duke vënë në diskutim se çfarë përfitojnë kryeministri, opozita dhe qytetarët nga përshkallëzimi i tensioneve.
Sipas tij, Tirana nuk u përket as Edi Ramës dhe as Sali Berishës, por të gjithë qytetarëve, ndaj përplasjet dhe shkatërrimi i qytetit nuk i shërbejnë askujt.
“I zgjuar është ai që gjen zgjidhje, i fortë është ai që di të bëjë marrëveshje” këto janë fjalët më normale që mund të thuhen pas pesë ditëve protestave në Tiranë. Ju thotë një njeri që ka ecur nëpër gurët e 1991-shit, nëpër gurët e 1997-tës, që e ka parë tre herë Shqipërinë në momente tejet delikate.
Pyetja ime e parë dhe e vetme është: Çfarë duhet një Shqipëri e tillë? Ç’i duhet kryeministrit, një kryeministri që ruhet me Forcat e RENEA-s? Ç’i duhet Opozitës një parlament kur protestuesit jashtë nuk pyesin për të? Ç’i duhet qytetarëve që protestojnë një Tiranë e rrënuar e cila nuk është as e Ramës dhe as e Berishës. Është e të gjithë shqiptarëve. Sot nuk është momenti për të treguar forcë.
Nuk është momenti për të treguar se kush ka të drejtë apo jo. Kur të gjithë mendojnë se kanë të drejtë, e drejta s’është e askujt. Ndaj është momenti më i mirë për një zgjidhje. Në fund të fundit, a nuk ka ky vend më njerëz me mend në kokë? Njerëz të cilët në një moment të caktuar të mund të ulen për të gjetur një zgjidhje.
Është moment delikat për të gjithë ju, ndaj po iu them: Nëse dikush ndihet përgjegjës për këtë vend, duhet të gjejë një zgjidhje. Zgjidhja nuk është as te kokëfortësia, as te inati. Inteligjent është ai që gjen zgjidhje. I fortë është ai që bën kompromise”, shkruan Blendi Fevziu.
