Tedi Blushi akuzoi sot ambasadorët amerikanë dhe europianë se u koordinuan me Edi Ramën për t’i bërë presion Ilir Metës në vitin 2019, gjatë përplasjes për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka bërë publik një mesazh që, sipas tij, dëshmon se diplomatët kërkonin që Meta të pranonte Arta Vorpsin, ndërsa Marsida Xhaferllari të konsiderohej për një vend tjetër në Kushtetuese.
Mesazhi, sipas Blushit, është dërguar më 11 nëntor 2019 nga një ambasador europian, një ditë pasi Meta kishte pritur në Presidencë përfaqësues të ambasadave të angazhuara në Reformën në Drejtësi.
“Mirëmëngjes Beni. I takova kolegët e mi amerikanë dhe të BE dhe folëm me Ramën në telefon dhe nuk e mbështesin pozicionin e presidentit për pezullimin. Ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues dhe ata do të dalin sot publikisht dhe kemi rënë dakord që unë do të njoftoja më parë për këtë gjë”, thuhet në mesazh.
Në të, diplomati shkruan se ambasadorët e konsideronin Arta Vorpsin të emëruar në Gjykatën Kushtetuese përmes mekanizmit zhbllokues dhe se do ta bënin publik qëndrimin e tyre.
“Rama megjithatë ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën e presidentit për nominim për tjetrën. Rama nuk do përpiqet të bllokojë këtë”, shkruhet në SMS.
Blushi e cilëson këtë një përpjekje për t’i imponuar Metës një marrëveshje politike: të pranonte emërimin e Vorpsit dhe, në këmbim, të mos pengohej kandidatura e Xhaferllarit për një vend tjetër në Gjykatën Kushtetuese.
Asokohe, përplasja mes Presidencës dhe mazhorancës u përshkallëzua pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar nga Ardian Dvorani, e renditi Arta Vorpsin të parën në listën e kandidatëve. Pas kalimit të afatit 30-ditor, ajo u konsiderua automatikisht e emëruar, por Meta e kundërshtoi procedurën dhe dekretoi Marsida Xhaferllarin.
Më 14 nëntor 2019, Vorpsi kreu betimin para një notereje, pasi Meta nuk e thirri për t’u betuar në Presidencë. Sipas Blushit, e gjithë kjo ishte pjesë e një skenari për të marrë kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, ku ai akuzon drejtpërdrejt Ramën, ish-kreun e KED-së, Ardian Dvorani, dhe diplomatët e përfshirë në komunikim.
Publikimin e mesazhit Blushi e lidh edhe me procesin gjyqësor ndaj Metës, duke pretenduar se kryeministri po ndikon në drejtësi dhe se gjykimi po zhvillohet pa transparencë.
Ai kërkon që SPAK dhe Gjykata e Posaçme të hetojnë plotësisht edhe çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA, ndërsa njofton se Meta ka paraqitur 103 kërkesa procedurale për procesin gjyqësor./k.m
