Deputeti socialist Erion Braçe ka rikthyer në vëmendje ambicien e tij për të garuar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe shprehet se socialistët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin mes alternativave dhe jo thjesht të përballen me një kandidaturë të vendosur paraprakisht.
Duke iu referuar informacioneve që, sipas tij, qarkullojnë në terren për persona që po përgatiten për garën, Braçe thotë se kjo është një shenjë e mirë për Partinë Socialiste.
“Ka gjallëri, edhe pse e padukshme, edhe pse ‘nuk është momenti’”, shkruan ai, duke shtuar se e sheh garën si një mundësi për të diskutuar konkretisht problematikat e kryeqytetit.
Braçe thekson se prej kohësh po zhvillon takime me qytetarë dhe po vëzhgon nga afër problematikat e Tiranës, nga lagjet te rrugët dhe shërbimet publike.
“Po kuptoj qytetin dhe nevojat e tij rrugicë më rrugë”, shprehet deputeti socialist, duke nënvizuar se synon të propozojë ndryshime që, sipas tij, do ta rikthenin Tiranën në një qytet më të jetueshëm.
Braçe e bën të qartë se nuk pret një vendim të gatshëm nga strukturat e partisë, por kërkon që kandidatura të dalë përmes një procesi ku socialistët të kenë rol në përzgjedhje.
“Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është!”, deklaron ai.
Në fund, deputeti socialist argumenton se vendimmarrja duhet të jetë më gjithëpërfshirëse, duke e lidhur këtë kërkesë edhe me mënyrën se si duhet të përcaktohet kandidati për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
“Socialistët, para së gjithash, por edhe njerëzit më gjerë, sidomos në këtë qytet, duan të jenë pjesë e vendimmarrjes”, shkruan Braçe.
Postimi i plotë i deputeti Erion Braçes:
Nga mesi i Kombinatit:
Unë nuk besoj se socialistët duan një njoftim, por duan të vendosin.
Unë nuk besoj se socialistët duan të votojnë një njoftim, por duan të zgjedhin kandidatin e tyre për Bashkinë e Tiranës!
Më kanë shkruar plot njerëz të mirë nga territori këto ditë.
I kanë thënë dikujt: “Ti do të jesh, fillo puno”, dhe ai ka nisur punën fort. I kanë konfirmuar dikujt tjetër: “Ty të kam, merru me njerëzit”, duke e lënë të kuptohet se “mund të jesh ti”.
Shikoni, kjo është shumë mirë. Ka gjallëri, edhe pse e padukshme, edhe pse “nuk është momenti”.
Mua më pëlqen të ketë garë, punë konkrete në territor, diskutime për zgjidhje.
Jam edhe unë një nga të gjithë dhe nuk prita të më thotë dikush: “Do të jesh ti, puno tani”. Jo. Ndjeva njerëzit në rrugët dhe lagjet e Tiranës, pashë çfarë nuk ecën dhe krijon probleme. Po kuptoj qytetin dhe nevojat e tij rrugicë më rrugicë. Po flas me shumë njerëz për atë që duhet të ndryshojë rrënjësisht në këtë qytet, për ta rikthyer që të bëhet sërish i jetueshëm.
Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është!
Nuk pres një njoftim në mur apo në eter. Nuk vlen njoftimi, është i vjetër. Kriza që po jetojmë ka në thelb mënyrën se si vendosim, dhe njoftimi, përjashtues në përgjithësi, nuk është më element i vendimmarrjes.
Socialistët, para së gjithash, por edhe njerëzit më gjerë – sidomos në këtë qytet – duan të jenë pjesë e vendimmarrjes, jo të marrin dhe të votojnë njoftime si produkt i një vendimmarrjeje që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë dhe që nuk i përfshin.
Kjo duhet të ndryshojë dhe Tirana e meriton!/ad
