Tre fëmijë të mitur janë gjetur të braktisur në zonën e Plazhit në Durrës. Sipas raportimeve, fëmijët janë lënë të vetëm në një apartament nga nëna e tyre, ndërsa dyshohet se kishin disa ditë që nuk ishin ushqyer.
Policia ka shoqëruar të miturit në spitalin e Durrësit për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën nën kujdes nga shërbimi social. Ndërkohë bëhet me dije se është proceduar penalisht nëna e fëmijëve.
NJOFTIMI I POLICISË:
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.
Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./mxh
