Thesaret e arkivave janë punë legjendash, por ekzistenca e tyre është krejtësisht reale.
Nga: Erin Blakemore / History
Pesëdhjetë e tri milje rafte [85.3 kilometra]. Tridhjetë e pesë mijë vëllime katalogësh. Dokumente që përfshijnë dymbëdhjetë shekuj. Të vendosura në një nga bastionet më emblematike të fesë dhe kulturës që kanë ekzistuar ndonjëherë, Arkivat Sekrete të Vatikanit janë punë legjendash historike, por ekzistenca e tyre është krejtësisht reale.
Vetëm emri ngjall misterin dhe salltanetin madhështor të Kishës Katolike dhe i shtyn ata me më imagjinatë të sajojnë teori ogurzeza për atë që mund të fshihet brenda. Indekset e arkivave nuk janë publike – dhe studiuesit mund të kenë qasje në to vetëm pasi dokumentet të kenë mbushur 75 vjet – ndërsa, vetë arkivat ndodhen në një pjesë të Vatikanit që i ngjan një fortese.
Natyra e fshehtë e Kishës Katolike dhe thesari i mundshëm që ndodhet brenda kanë ushqyer prej vitesh spekulime të shfrenuara për atë që ishte brenda. Teoritë e konspiracionit mbi përmbajtjen e tij vërshojnë kudo – si spekulimet e çmendura se Vatikani fsheh qenie jashtëtokësore brenda.
Megjithatë, në realitet, Arkivat Sekrete të Vatikanit nuk janë aspak sekrete. Fjala “sekret” vjen nga një keqkuptim i fjalës latine secretum apo private. Arkivat ishin – dhe vazhdojnë të jenë – të destinuara për të ruajtur dokumentacionin zyrtar të Selisë së Shenjtë, së bashku me korrespondencën dhe informacione të tjera që lidhen me Papën.
Ato përmbajnë gjithashtu disa nga thesaret më mbresëlënëse të Kishës Katolike – dokumente që datojnë që nga shekulli VIII. Por, deri në vitin 1881, as studiuesve të krishterimit nuk u lejohej qasja në arkiv. Pikërisht atëherë Papa Leoni XIII, i njohur si një intelektual që u përball me modernizimin e fundit të shekullit XIX, e hapi këtë thesar dokumentesh për studiuesit. Këto dokumente magjepsëse tregojnë jo vetëm historinë e Kishës, por edhe atë të pjesës tjetër të botës.
Një nga dokumentet që spikat është një letër e Marisë, Mbretëreshës së Skocisë, e cila u ekzekutua pasi u detyrua të abdikonte nga froni dhe kaloi gati 20 vjet në arrest. Në fund ajo u dënua me vdekje për komplot për vrasjen e Mbretëreshës Elizabeta I, kushërirës së saj protestante. Përballë prerjes së kokës, ajo i shkroi një letër të dëshpëruar Papës Siksti V, duke e lutur që t’ia shpëtonte jetën dhe duke dënuar ashpër “heretikët” që më pas do ta vrisnin. Papa nuk ndërhyri dhe asaj iu pre koka më 8 shkurt 1587.
Letra e fundit e Marisë, Mbretëreshës së Skocisë, drejtuar Papës Siksti V, në një ekspozitë dokumentesh nga Arkivat Sekrete të Vatikanit (2012)Rex Features/AP Photo
Një tjetër dokument i paçmuar ndryshoi, fjalëpërfjalshëm, historinë e fesë. Ai dokumenton shkishërimin nga Kisha Katolike të Martin Luterit, gjermanit që ndezi Evropën duke i kthyer shpinën katolicizmit dhe duke shkruar 95 Tezat e tij të cilat sot shihen si dokumenti që i dha shtysë protestantizmit. Si përgjigje, Papa Leoni X shkroi Decet Romanum Pontificem, një bulë papnore që e përjashtoi Luterin nga Kisha Katolike. Kjo i dha Luterit lirinë të themelonte një kishë të vetën dhe kjo përçarje ka përcaktuar, që atëherë, një pjesë të madhe të historisë botërore.
Arkivat Sekrete ruajnë gjithashtu një dokument jashtëzakonisht sekret: procesverbalet e gjyqeve kundër Kalorësve Templarë. I njohur si Pergamena e Shinonit, ka përmasat e një tryeze ngrënieje dhe dokumenton gjyqet ndaj urdhrit ushtarak romak për çështje të tilla si sjellje blasfemuese dhe herezi gjatë Kryqëzatave. Për shkak të një gabimi arkivor, pergamena humbi për shekuj dhe u gjet vetëm në vitin 2001 në një kuti që përmbante dokumente të tjera. Tani ajo është kategorizuar siç duhet dhe është në dispozicion të studiuesve.
Kur Pergamena e Shinonit u bë publike në vitin 2007, ajo në fakt rehabilitoi trashëgiminë e Kalorësve Templarë, duke vërtetuar se – pa qenë kjo e njohur nga historia – Papa Klementi V në të vërtetë e kishte shfajësuar grupin nga akuza për herezi në vitin 1308.
231 dëshmi në 60 metra pergamenë, si pjesë e ekspozitës së dokumenteve nga Arkivat Sekrete të VatikanitAlessandra Benedetti/Corbis/Getty Images
Këto dhe dokumente të tjera historike ruhen pranë Bibliotekës së Vatikanit në Romë. Ashtu si në çdo arkiv, ka radhë raftesh dhe salla leximi. Është gjithashtu një bunker – një strukturë nëntokësore rezistente ndaj zjarrit, e projektuar për t’i mbrojtur dokumentet delikate nga kushtet e mjedisit dhe nga zjarri. Madje, ka edhe një shkollë për klerikët të cilët studiojnë historinë. Dhe, meqë është Vatikan, ka gjithashtu plot art të shenjtë për t’u parë.
Jo çdokush mund të ketë qasje në arkiv – ai është i hapur vetëm për studiuesit që i nënshtrohen një procesi të hollësishëm verifikimi. Megjithatë, vitet e fundit Vatikani është bërë disi më i hapur me sekretet e tij. Në vitin 2010, si përgjigje ndaj interesit të shtuar të publikut për Arkivat Sekrete dhe miteve të përhapura nga libri bestseller i Dan Brownit, Engjëj dhe demonë [Angels and Demons], Vatikani u lejoi gazetarëve ta vizitonin arkivin për herë të parë. Në vitin 2012, Arkivat Sekrete të Vatikanit organizuan një ekspozitë publike me disa nga dokumentet e tyre më të rëndësishme – me rastin e 400-vjetorit të tyre. Ndërsa, në vitin 2019, Papa Françesku njoftoi se Vatikani do t’i hapte arkivat e tij për Piun XII. Gjatë një veprimtarie përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të zgjedhjes së Piut XII në Papat, Françesku tha se kishte dhënë urdhër që arkivi të hapej në mars 2020. “Kisha nuk ka frikë nga historia”, i tha ai grupit. Arkivat u hapën më 2 mars 2020, por u mbyllën përsëri pak kohë më pas për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Brendësia e Arkivave Sekrete të VatikanitRex Features/AP Images
Në vitin 2005, Sergio Pagano, prefekti i Arkivave Sekrete, shpjegoi pse ka pasur ngurrim për t’i hapur të gjitha arkivat. Pagano i tha L’Espresso-s se nuk bëhet fjalë për guxim – bëhet fjalë për burime. Meqë arkivi është kaq i madh, tha Pagano, përpunimi i shpejtë i dokumenteve dhe vënia e tyre në dispozicion të historianëve përbën një sfidë. Por, shpeshherë, tha ai, njerëzit “kërkojnë me zë të lartë hapjen e arkivave të Vatikanit, thuajse sikur do të duhej të hynin në një fortesë sekrete duke kapërcyer një rezistencë imagjinare … por, kur dera hapet dhe dokumentet vihen në dispozicion, ata që dukej se ishin te portat nuk shfaqen ose bëjnë pothuajse vetëm një vizitë turistike”.
Prefekti e hodhi poshtë presionin për publikimin e dokumenteve lidhur me Piun XII, duke e quajtur atë një “dukuri të çuditshme” dhe duke lënë të kuptohej se studiuesit shtyheshin nga dëshira për ta rrëzuar autoritetin e Kishës Katolike.
Kjo na çon tek ato që mund të jenë dokumentet më të diskutueshme në Arkivat Sekrete – ato që lidhen me skandalin e vazhdueshëm të abuzimeve seksuale brenda Kishës. Siç rezulton, edhe çdo dioqezë ka arkiva sekrete dhe shumë prej tyre kanë ndihmuar në vërtetimin e përfshirjes së Kishës në abuzime. Por, dokumentet në Arkivat Sekrete të Vatikanit bëhen publike vetëm pasi të jenë të paktën 75 vjet të vjetra – dhe, pronari i vërtetë i arkivit nuk është Kisha, por Papa.
Edhe pse njerëzit mund t’i padisin dioqezat veç e veç për të siguruar informacionin e tyre, vetë Kisha është e barasvlershme me një shtet sovran dhe mund të veprojë siç dëshiron. Papa është i vetmi që mund t’i bëjë dokumentet publike më herët – dhe, siç duket tani, mund të kalojnë dekada para se gazetarët, historianët dhe viktimat të mësojnë më shumë për rolin e Kishës Katolike në abuzime. /et



