Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn dhe me 35 vite burg Julian Meçajn, pasi i shpalli fajtor për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos.
Togat e zeza morën vendimin të kyçin përjetë në qeli Dervishajn, të cilin e konsiderojnë si organizator të sulmit të armatosur, ndërsa Julian Meçaj u shpall fajtor si bashkëpunëtor në ngjarje.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit. Atë ditë, një sulm me armë zjarri ndaj automjetit ku udhëtonte ish-prokurori i Durrësit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho la të plagosur këta të fundit, ndërsa shoferi i tyre, Andi Maloku, humbi jetën disa ditë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Sipas vendimit të gjykatës, Dervishaj ka pasur rolin e organizatorit të atentatit, ndërsa Meçaj ka marrë pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin e sulmit të armatosur. Të dy u gjykuan në një proces të veçuar nga pjesa tjetër e personave të dyshuar për përfshirje në të njëjtën ngjarje, ku rëndojnë akuza të rënda që përfshijnë vrasje me paramendim dhe vrasje në tentativë, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Për të njëjtin atentat, proceset gjyqësore vijojnë ende për Amar Shkëmbi dhe Bledar Polovina, ku ky i fundit po gjykohet në mungesë pasi ndodhet në arrati.
Në lidhje me këtë çështje, më herët janë dhënë edhe dënime të tjera të formës së prerë për persona të përfshirë. Ndër ta, Redjan Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramazan Rraja ka marrë fillimisht 9 vite burg, dënim i reduktuar më pas në 6 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Po ashtu, Genti Ndërjaku është dënuar me 5.4 vite burg, Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani me nga 4.8 vite burg, ndërsa Julian Pjetri është dënuar me 4 vite e 4 muaj heqje lirie.
Në seancat gjyqësore për këtë dosje, ish-prokurori i Durrësit dhe aktualisht deputet i Partisë Demokratike Arjan Ndoja ka dëshmuar dy herë në Gjykatën e Posaçme, duke deklaruar se ka një ide të qartë mbi motivet e sulmit ndaj tij, por ka theksuar se ia ka lënë drejtësisë zbardhjen e plotë të rrethanave dhe autorëve të ngjarjes.
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, dy eksponentë të krimit shqiptar dhe të kërkuar nga drejtësia për disa ngjarje të rëndë u ekstraduan në Shqipëri në gusht të vitit 2024. Muhamet Rrumbullaku i cili asokohe mbante detyrën e kryepolicit tha se struktura të fshehta të Policisë së Shtetit bënë të mundur arrestimin e tyre.
Ata i fshiheshin prej vitesh drejtësisë shqiptare dhe qëndronin në Dubai, ku u arrestuan dhe u liruan herë pas here në kushtet e mungesës së një marrëveshje ekstradimi.
Julian Meçaj është cilësuar si numri dy i bandës së Durrësit, roli dhe ndikimi i të cilët u zbulua edhe më në detaje pas arrestimit të Adriatik Colit, një nga anëtaret e bandës. Më 20 qershor të 2019, Julian Meçaj iu bë atentat në Durrës teksa lëvizte me makinë me Plaurent Dervishaj dhe të dy mbetën të plagosur.
Plaurent Dervishaj është kërkuar nga SPAK për një sërë ngjarjesh kriminale dhe deri pak kohë më parë ndodhej në Dubai, ku u arrestua dhe fitoi përsëri lirinë për shkak se mungon një marrëveshje ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai është dhe kunati i Lul Berishës./kb
