Bardot e magjepsi botën për pesë dekada, por polemikat dhe voyeurizmi që e rrethuan nuk duhet të errësojnë një karrierë filmike intriguese.
Peter Bradshaw
Bardot… kishte një kohë kur emri i saj nuk mund të shqiptohej pa një puthje të nënkuptuar në rrokjen e dytë. Titullshkruesit francezë kënaqeshin duke e quajtur yllin më të dëshiruar të kinemasë botërore me inicialet e saj: “BB” – bébé, një lloj bisedimi tabloidesh çuditërisht i infantilizuar. Kur Brigitte Bardot u tërhoq nga kinemaja në mesin e viteve ’70, duke iu kushtuar kauzës së të drejtave të kafshëve dhe ndalimit të importit të fokeve të vogla, shtypi francez filloi ta quante BB-phoque, një homofon i fjalës franceze për “fokë e vogël”, me një nuancë të hidhur loje fjalësh anglofone. Por historia e dashurisë së Francës me Bardot-in do të zbehej, pavarësisht patriotizmit të saj të zjarrtë dhe admirimit për Charles de Gaulle-in (ndjenjë që ishte e ndërsjellë). Ndërsa aktivizmi i saj për kafshët, në shekullin XXI, u shndërrua në sulme kundër mishit hallall dhe më pas në denoncime të ashpra të asaj që ajo e quante “islamizimi” i Francës, marrëdhënia e saj me botën moderne u përkeqësua edhe më shumë.
Në vitet ’50, para revolucionit seksual, para Valës së Re, para feminizmit, ishte Bardot: ajo ishte seksi, ishte rinia dhe, më e rëndësishmja, Bardot ishte moderniteti. Ajo ishte forca e pashpallur e zeitgeist-it që frymëzoi “luanët e rinj” të kinemasë, si François Truffaut, kundër rendit të vjetër. Bardot ishte eksporti kulturor më sensacional i vendit; në njëfarë mënyre, ajo ishte Beatles-at e Francës: një sirenë e ekranit e çliruar, këndshëm e paturpshme, që i bënte shikuesit meshkuj amerikanë të gëlltisnin pështymën nga dëshira, në atë vend puritan ku seksi në ekran ende nuk ishte i zakonshëm dhe ku sensualiteti duhej të paraqitej i mbështjellë me komedi të ndrojtur. Bardot mund të mos i ketë pasur aftësitë komike të Marilyn Monroe-s, por ajo kishte hijeshi naive dhe karizëm të vërtetë, një butësi dhe ëmbëlsi që shpesh u anashkaluan nga orteku i kureshtjes së sëmurë dhe përçmimit seksist.
Ajo ushqeu një industri mediatike të uritur, duke u paraqitur si një “ngrënëse burrash”, me dashnorë dhe ish-bashkëshortë që përlesheshi me dëshirë për të në rrugët e Parisit përpara fotografëve. Por Bardot u çmend pjesërisht – ose pothuajse – nga kjo ndërhyrje e pamëshirshme. Ajo ishte një figurë publike, imazhi i së cilës konsumohej jo vetëm përmes filmave, por edhe kopertinave të revistave, fotove paparaci dhe artikujve triumfues të shtypit. Ndoshta vetëm Jennifer Aniston, në kohën tonë, ka përjetuar diçka të ngjashme.

Pas disa roleve si gamine, me flokë kafe të errët, Bardot bëri zbulimin e saj spektakolar në vitin 1956, në moshën 22-vjeçare, në komedinë romantike Technicolor që sot duket mjaft e hijshme, me titullin provokues …Dhe Zoti krijoi gruan. Ajo luajti një bjonde jashtëzakonisht të dëshirueshme, me ecjen e belit të hollë dhe lëvizjen provokuese të vitheve – kulmi i sensualitetit të viteve ’50. Personazhi i saj zgjonte obsesionin vetëshkatërrues të një burri më të moshuar – një motiv që do të përsëritej shpesh në filmat e Bardot-it – dhe dëshirohej nga burra më të rinj, përfshirë edhe Jean-Louis Trintignantin e ri e serioz, i destinuar të bëhej dashnori i saj në jetën reale. Filmi u drejtua nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, Roger Vadim, një figurë pothuajse si Svengali, që kontrollonte jetën e saj personale dhe profesionale.
Bardot punoi edhe me regjisorë seriozë. Louis Malle e drejtoi në Vie Privée (Jeta private, 1961), ku ajo luan një version të vetvetes, epiqendrën e famës histerike dhe mosmiratimit voyeurist, me klone bjonde të Bardot-it nëpër rrugët e Parisit dhe me personazhin e saj që i drejtohet një fundi të tmerrshëm, në stilin e Princeshës Diana, nën dhëmbët e medias. Por fati i Bardot-it ishte që të trajtohej me patronazh nga emri më i madh i të gjithëve: Jean-Luc Godard. Në Le Mépris (Përbuzja, 1963), ajo luan Camille-n, bashkëshorten e bukur të skenaristit të munduar të luajtur nga Michel Piccoli. Lakuriqësia e Bardot-it shfaqet si mishërimi i komercializmit të shëmtuar të kinemasë, por në qasjen e Godard-it ka diçka cinike dhe mizogjene.
Një përgjigje më lozonjare dhe më ironike ndaj famës kolosale të Bardot-it erdhi nga Agnès Varda në filmin e saj të vitit 1965 Le Bonheur (Lumturia). Një marangoz dhe gruaja e tij mendojnë të shkojnë të shohin një film me Bardot-in dhe Jeanne Moreau-n (me gjasë Viva Maria!, për të cilin Bardot u nominua për BAFTA). Gruaja e pyet burrin kë preferon: Bardot apo Moreau? Me fisnikëri, ai përgjigjet se preferon atë, gruan e tij. Pastaj Varda bën një prerje të menjëhershme te dollapi i tij i punës – i mbuluar me fotografi të Bardot-it. Sigurisht që ai e preferon Bardot-in! Kush nuk e preferonte
Ndërsa vitet ’60 vazhduan, Bardot bëri shumë filma të dobët, megjithëse fansat kanë një simpati të veçantë për Shalako (1968), një western disi i çuditshëm me Sean Connery-n, parukja e të cilit thuhet se e shqetësonte Bardot-in. Më pas ajo u hodh në aktivizëm politik, një nga momentet më tipikisht franceze të historisë së pasluftës. Gjatë një pushimi skijimi në Méribel, në vitin 1965, Bardot u trondit kur Charly, një qen i racës barinj gjerman që i përkiste Alain Delon-it dhe që ajo po e mbante përkohësisht, kafshoi një skiator në këmbë: viktima ishte vetë presidenti francez Valéry Giscard d’Estaing. Ai u mahnit nga faljet e saj teatrale dhe mënyra se si ajo i lyente këmbën me pomadë – duke e kthyer atë në një aleat politik të papritur. Megjithatë, Bardot u tall për fushatat e saj për kafshët, edhe para se t’u kushtohej atyre me kohë të plotë. Shtëpia e saj në Bazoches, pranë Parisit (sot selia e Fondacionit Brigitte Bardot), ishte një vend ku kafshët lëviznin lirshëm brenda: gjashtë dhi, një duzinë mace, një lepur, 20 rosa, një gomar dhe disa dele. Era ishte e dallueshme.
Bardot realizoi disa filma të mëdhenj. La Vérité (E vërteta, 1960), me regji nga Henri-Georges Clouzot, është një dramë gjyqësore e fuqishme, ku personazhi i Bardot-it gjendet në bankën e të akuzuarve për vrasje. Nëse avokati i saj arrin të provojë se vrasja nuk ishte e paramenduar, ajo mund të shpëtojë falë klauzolës franceze të crime passionnel. Në retrospektiva shfaqet jeta e saj e mjerë si e arratisur, e fiksuar pas burrave që kishin qenë të fiksuar pas saj, gjysmë e pastrehë, duke rrëshqitur drejt prostitucionit. Personazhi i saj skandalizon gjykatën duke lexuar romanin provokues të Simone de Beauvoir-it Mandarinët (De Beauvoir ishte një admiratore e Bardot-it). Filmi është tejet mbërthyes, me një fjalim përmbyllës sfidues nga Bardot, ku ajo denoncon hipokrizinë dhe mizorinë e brezit të vjetër gjykues.
Por filmi im i preferuar është En Cas de Malheur (Në rast fatkeqësie, 1958), një melodramë kriminale e shkëlqyer, e bazuar në një thriller të Georges Simenon-it dhe e drejtuar nga Claude Autant-Lara. Bardot luan një grua të akuzuar për grabitje të dhunshme, e cila josh avokatin e saj të moshës së mesme që të sajojë prova për ta shpallur të pafajshme. Avokati luhet nga Jean Gabin, dhe mes këtyre dy ikonave të kinemasë franceze – së vjetrës dhe së resë – ka një kimi të vërtetë, elektrizuese. Skenat e tyre së bashku kanë një butësi dhe mallëngjim të rrallë, veçanërisht kur personazhi i Bardot-it beson se është i dashuruar me burrin e saj më të madh në moshë, të mirë, por cinik – një rol i madh për Gabin-in. “On est heureuse!” – shpërthen ajo drejt qiellit: Jemi të lumtur! Të shohësh Bardot-in në këtë film mjafton për të të bërë të lumtur.
