Dy ministre në qeverinë britanike kanë dhënë dorëheqjen të martën (12 maj), duke shtuar presionin mbi kryeministrin Keir Starmer, pas rezultateve të dobëta të Partisë Laburiste në zgjedhjet lokale.
Ministrja për mbrojtjen e të rrezikuarve, Jess Phillips, është bërë e dyta që largohet nga qeveria brenda ditës, në shenjë proteste ndaj lidershipit të Starmer. Dorëheqja e saj pason largimin e ministres për komunitetet, Miatta Fahnbulleh, duke thelluar krizën brenda kabinetit.
Sipas mediave britanike, më shumë se 80 deputetë të Partisë Laburiste kanë kërkuar publikisht që Starmer të caktojë një afat për largimin e tij nga drejtimi i partisë dhe qeverisë.
Ndërkohë, edhe një tjetër ministre, Alex Davies-Jones, ka bërë të ditur dorëheqjen e saj përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në një mbledhje të kabinetit, Starmer ka refuzuar thirrjet për dorëheqje, duke theksuar se ai mban përgjegjësinë për humbjen në zgjedhje, por se nuk ka asnjë proces zyrtar për hapjen e garës për lidershipin.
Kryeministri britanik u ka thënë ministrave se do të vazhdojë detyrën, pavarësisht presioneve të brendshme dhe kritikave në rritje brenda partisë së tij.
Kriza e fundit vjen pas një periudhe të vështirë për qeverinë britanike, e cila është përballur me polemika, ndryshime politike dhe pakënaqësi të brendshme që prej ardhjes në pushtet në vitin 2024./mxh
