Britania e Madhe po punon me aleatët e saj për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Lajmi u konfirmua nga sekretari britanik i Energjisë, Ed Miliband.
Në një intervistë për mediat britanike, Miliband tha se Londra po shqyrton një sërë opsionesh për të siguruar kalimin në këtë korridor strategjik, përfshirë edhe përdorimin e pajisjeve autonome për zbulimin dhe pastrimin e minave detare.
Sipas tij, rihapja e ngushticës është në interes të të gjitha vendeve, por mënyra më e mirë për ta arritur këtë është ulja e tensioneve dhe përfundimi i konfliktit që ka destabilizuar rajonin.
Ndërkohë, Britania thekson se do të vazhdojë të mbajë në fuqi sanksionet ndaj Rusisë, duke kërkuar që Moska të përballet me presion ndërkombëtar për luftën në Ukrainë.
Deklaratat e Miliband vijnë në një moment kur tregjet globale të energjisë janë tronditur nga konflikti në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë gjithashtu një përjashtim të përkohshëm që lejon disa vende të blejnë naftë ruse të bllokuar në det, një vendim që ka ngjallur kritika nga Ukraina dhe aleatët e saj europianë, të cilët paralajmërojnë se kjo mund të ndihmojë financiarisht Moskën në luftën kundër Kievit./mxh
