Qytetarët francezë iu drejtuan këtë të diel kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive në rreth 35 mijë komuna në të gjithë vendin, në një proces që shihet si një test i rëndësishëm politik përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Nga qytetet e mëdha deri te fshatrat me vetëm disa dhjetëra banorë, kryebashkiakët konsiderohen ndër zyrtarët më të besuar nga votuesit në Francë. Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20:00, ndërsa në shumë qytete të mesme dhe të mëdha pritet një raund i dytë votimi më 22 mars.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve lokale mund të ndikojnë në klimën politike kombëtare, veçanërisht duke qenë se ato zhvillohen vetëm një vit para zgjedhjeve presidenciale, ku sipas sondazheve partia e ekstremit të djathtë mund të ketë shanse reale për fitore.
Tubimi Kombëtar, një parti me qëndrime kundër emigracionit dhe skeptike ndaj Bashkimit Europian, ka pasur historikisht vështirësi për të siguruar fitore të rëndësishme në zgjedhjet vendore. Megjithatë, ajo synon të shfrytëzojë këtë proces për të treguar rritjen e mbështetjes dhe për të fituar disa bashki të rëndësishme.
Një nga garat më të ndjekura është ajo në Paris, ku trashëgimia mjedisore e kryebashkiakes aktuale Anne Hidalgo është në qendër të debatit politik. Rivalët e djathtë shpresojnë të përfitojnë nga pakënaqësia e disa votuesve për kufizimin e trafikut të makinave, punimet e shumta në rrugë dhe borxhin në rritje të qytetit.
Sipas sondazheve, gara në kryeqytetin francez pritet të jetë mes kandidatit socialist Emmanuel Grégoire, i cili mbështet vazhdimin e politikave të gjelbra, dhe ish-ministres konservatore Rachida Dati, e cila thotë se karakteri klasik i Parisit po dëmtohet nga politikat aktuale urbane./mxh
