Brukseli është një qytet ku stilet, epokat dhe gjuhët ndërthuren pa ndjekur gjithmonë një logjikë të qartë.
Pikërisht kjo përzierje e bën kryeqytetin belg një nga destinacionet më interesante të Europës për artin, arkitekturën dhe kulturën.
Një nga shembujt më të pazakontë ndodhet në Parc du Cinquantenaire: Pavijoni i Pasioneve Njerëzore, ku ruhet një basoreliev monumental i artistit belg Jef Lambeaux.
Ndërtesa, e projektuar nga Victor Horta, ka pasur një histori po aq të çuditshme sa vetë vepra. Në vitin 1978, mbreti Baudouin ia dhuroi atë mbretit Khalid të Arabisë Saudite, me synimin për ta kthyer në muze të artit islamik.
Projekti nuk u realizua dhe ndërtesa përfundimisht iu rikthye Belgjikës.
Horta përfaqëson për Brukselin ajo që Antoni Gaudí është për Barcelonën.
Ai është një nga figurat kryesore të Art Nouveau, stili që në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX solli forma të lakuara, motive bimore dhe një arkitekturë që shmangte simetrinë e rreptë.
Vepra e tij mund të zbulohet sot në Muzeun Horta, ish-shtëpia dhe studioja e arkitektit në lagjen Saint-Gilles.
Por Brukseli nuk ka vetëm një identitet arkitekturor.
Në të njëjtin qytet përplasen Art Nouveau, Gotiku, Neoklasicizmi dhe modernizmi i pasluftës.
Grand-Place, me fasadat e mbushura me ar, skulptura dhe dekorime, është ndoshta shprehja më e dukshme e këtij maksimalizmi.
Vetëm pak rrugë më tej ndodhet Mont des Arts, i rindërtuar në stil modernist gjatë viteve 1950, ndërsa mbi të ngrihet Pallati Mbretëror neoklasik.
Kjo përzierje është shoqëruar edhe me humbje.
Brukseli i dha emrin termit “Brusselization”, që përdoret për shkatërrimin pa kriter të lagjeve historike në emër të zhvillimit urban.
Një nga shembujt më monumentalë është Pallati i Drejtësisë, një ndërtesë gjigante e shekullit XIX, ndërtimi i së cilës kërkoi shembjen e një pjese të tërë të qytetit.
Edhe identiteti gjuhësor i Brukselit është i ndërthurur.
Qyteti ndodhet mes botës frëngjishtfolëse dhe asaj holandishtfolëse, ndërsa dialekti tradicional i tij kombinonte elemente gjermanike dhe romane.
Sot Brukseli është zyrtarisht kryeqyteti i Belgjikës dhe jozyrtarisht kryeqyteti i Bashkimit Europian.
Prania e institucioneve europiane e ka kthyer në qytet diplomatësh dhe juristësh, por karakteri i tij është shumë më ndërkombëtar.
Në Bruksel jetojnë njerëz nga 184 kombësi, ndërsa pothuajse një e katërta e banorëve vijnë nga vende të tjera të Bashkimit Europian.
Mes muzeve, restoranteve të vlerësuara, arkitekturës së Victor Horta-s dhe kontrasteve urbane, Brukseli mbetet një qytet që nuk përpiqet shumë të jetë i rregullt.
Pikërisht kjo mungesë uniformiteti është pjesë e identitetit dhe tërheqjes së tij. / Travel+Leisure-ad
