Nga Bardh Spahia
Të dashur mësues!
Sot në duart tuaja po ulet e ardhmja e vendit tonë. Ju nuk keni përballë nxënës që duhet të mbushin fletore e të mësojnë formula përmendësh. Ju keni në dorë fatin e një populli që ka nevojë urgjente të ringrihet mbi kurrizin e palëkundur të dinjitetit.
Prandaj, këtë vit shkollor, mos krijoni numra për statistika. Krijoni karaktere!
Mësojuni nxënësve tuaj të mendojnë, të pyesin dhe mbi të gjitha të reagojnë e të mos nënshtrohen kurrë!
Mos rrisni breza me kokën ulur që mësohen të heshtin para padrejtësisë. Mësojuni se kurrizi i njeriut është krijuar për të qëndruar drejt, jo për t’u përkulur për interesa, për frikë apo për konformizëm.
Nënshtrimi ndaj askujt, për asnjë motiv dhe me asnjë çmim, nuk duhet të jetë opsion! Liria nuk është leje që të jepet, është gjendje e shpirtit që farkëtohet në familje por edhe në bankat tuaja.
Formoni patriotë të vërtetë! Jo folklorikë që rrahin kraharorin me fjalë boshe, por njerëz me rrënjë të thella që këtë tokë e duan me shpirt, e respektojnë dhe i dalin zot.
Mësojuni se ky vend nuk braktiset, por ndërtohet; se suksesi më i madh është të prosperosh me ndershmëri e ballëlart në tokën tënde, si zot i fateve të tua!
Rrisni djemtë të bëhen burra! Trima, të përgjegjshëm, mbrojtës të atdheut, të së drejtës, që mbajnë fjalën dhe që kanë kurajën të mbajnë mbi supe peshën e sfidave.
Rrisni vajzat të bëhen gra! Të forta, të mençura, me dinjitet të pathyeshëm, shtylla të pathyeshme të së nesërmes.
Festoni dhe forconi dallimet e tyre të mrekullueshme e të natyrshme, me identitete të qarta e të palëkundura, por gjithmonë me një themel të hekurt: respektin absolut dhe të ndërsjellë për njëri-tjetrin.
Të dashur mësues, ju jeni roja e parë e shpirtit të këtij kombi. Jepuni nxënësve tuaj dije, por mbi të gjitha jepuni zjarr në zemër, drejtësi në gjykim dhe krenari në sy.
Ngrijeni kokën lart dhe fillojeni këtë vit me vetëdijen e misionarit. Nga klasat tuaja duhet të dalin ata që do ta bëjnë këtë vend të lirë, të fortë dhe të papërkulur.
Punë të mbarë dhe nderim përjetë misionit tuaj fisnik!
