Një material që lidhet me elegancën dhe finesën po bëhet protagonist në botën e aksesorëve. Çantat prej sateni po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në koleksionet e modës, duke sjellë një alternativë elegante për kombinimet e përditshme dhe veshjet e mbrëmjes.
Të frymëzuara nga estetika minimaliste e viteve ’90, këto çanta dallohen për sipërfaqen e lëmuar, shkëlqimin delikat dhe pamjen e sofistikuar. Në koleksionet e vjeshtës, marka si Michael Kors dhe Elisabetta Franchi sollën modele në nuanca të ngrohta të së kuqes, ndërsa Calvin Klein u orientua drejt toneve të buta pjeshkë.
Por ky trend nuk kufizohet vetëm te çantat e vogla që mbahen në dorë. Për sezonin pranverë-verë, sateni shfaqet në një larmi modelesh, nga çantat e shpatullës me linja të thjeshta, te ato me doreza të shkurtra dhe modelet tote, të përshtatshme për përdorim të përditshëm.
Ajo që i bën këto aksesorë të veçantë është aftësia për t’i dhënë karakter një veshjeje pa pasur nevojë për detaje të tepërta. Një çantë sateni mund të kombinohet me një veshje minimaliste për një pamje elegante ose të shërbejë si elementi që tërheq vëmendjen në një kombinim më të thjeshtë.
Me format e larmishme dhe shkëlqimin e përmbajtur, çantat prej sateni po pozicionohen si një nga zgjedhjet interesante për adhurueset e modës, ndërsa pritet të vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në sezonet e ardhshme./mxh
