Kryeministri kanadez Mark Carney ka deklaruar se Kanadaja nuk do të pranojë kushtet e propozuara nga Shtetet e Bashkuara në negociatat tregtare, duke akuzuar Uashingtonin se po përdor tarifat për të dëmtuar ekonominë dhe për të dobësuar vendin.
“Ne nuk mund ta pranojmë atë që kanë ofruar dhe nuk do të japim atë që kanë kërkuar”, tha Carney gjatë një fjalimi të shtunën, pasi negociatat SHBA–Kanada u ndërprenë pa një marrëveshje.
Përplasja u përshkallëzua pasi SHBA vendosi tarifa të reja prej 50% mbi rreth 20 miliardë dollarë mallra kanadeze. Masat, që hynë në fuqi të shtunën, prekin një sërë produktesh, përfshirë pajisje sportive, çimento, produkte ushqimore, pajisje elektronike dhe mallra të tjera.
Carney tha se ndryshimet e propozuara nga pala amerikane në ditët e fundit të negociatave ishin të padrejta dhe joekonomike, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje të ardhshme. Sipas tij, Kanadaja ishte e gatshme të bënte kompromise për një marrëveshje të drejtë, por jo të cenonte sovranitetin dhe industritë e saj strategjike.
Në përgjigje të tarifave amerikane, Kanadaja ka paralajmëruar masa hakmarrëse dollar për dollar. Tarifat kanadeze do të hyjnë në fuqi më 8 shtator dhe do të përfshijnë sektorë si çeliku, produktet e qumështit, pajisjet elektroshtëpiake, makineritë bujqësore, letrën dhe elektronikën.
“Ne do t’i përgjigjemi tarifave të reja të Uashingtonit dollar për dollar, për të mbrojtur punëtorët, fermerët, familjet dhe bizneset kanadeze”, deklaroi Carney.
Nga ana tjetër, administrata amerikane e ka cilësuar dështimin e negociatave si një mundësi të humbur, duke akuzuar Kanadanë se ka ndryshuar kërkesat dhe ka tërhequr disa angazhime të mëparshme. Përplasja vjen në një moment kur marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë tashmë nën presion të madh.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht politikat tregtare të Kanadasë dhe ka përsëritur edhe pretendimin e tij se vendi fqinj duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së, deklarata që Ottawa i ka kundërshtuar ashpër.
Përshkallëzimi i ri rrezikon të rrisë kostot për bizneset dhe konsumatorët në të dyja vendet dhe të krijojë pasiguri të mëtejshme për kompanitë që varen nga zinxhirët e përbashkët të furnizimit.
Carney tha se Kanadaja do të punojë njëkohësisht për forcimin e ekonomisë së brendshme dhe diversifikimin e marrëdhënieve tregtare me vende të tjera, duke synuar të ulë varësinë nga tregu amerikan./kb
