Një analizë e bazuar në të dhëna zyrtare të zbuluara ka treguar se gati 720 mijë ushtarë rusë janë vrarë që kur Moska nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022, apo përafërsisht një vdekje çdo katër minuta.
Mediat opozitare ruse “Mediazona” dhe “Meduza” raportuan të hënën se, deri në fund të shtatorit, vdekja e 490,000 trupave ruse ishte konfirmuar nga agjencia ruse e statistikave, “Rosstat”.
Megjithatë, duke marrë parasysh vonesat në raportim dhe duke përfshirë ushtarët që rezultojnë të zhdukur në luftime, të cilët me shumë gjasa kanë vdekur, numri i viktimave ruse shkon në mbi 720,000 që nga fillimi i luftës, sipas këtyre dy mediave.
Ky është një shifër tronditëse, që tejkalon numrin e të vdekurve rusë në luftën sovjetike në Afganistan gjatë viteve 1980, si dhe në të dyja luftërat në Çeçeni gjatë viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000, një fakt që Kremlini është përpjekur prej kohësh ta mbajë të fshehtë.
“Rosstat” ndaloi publikimin e të dhënave demografike në vitin 2025, me qëllim fshehjen e rritjes së numrit të viktimave të luftës. “Mediazona” dhe “Meduza”, së bashku me media të tjera, i siguruan këto të dhëna zyrtare pasi dy grupe hakerësh pro-ukrainas, “Cyber Partisans of Belarus” dhe “Silent Crow”, arritën të depërtonin në serverët e “Rosstat” në fillim të këtij muaji.
“Mediazona” dhe “Meduza” kanë mbajtur prej kohësh një regjistër të humbjeve ruse, duke u bazuar kryesisht në dokumente trashëgimie, njoftime vdekjeje dhe dokumente të tjera të qasshme për publikun.
Por, të dhënat e zbuluara nga “Rosstat” u mundësuan këtyre mediave të shkonin edhe më tej, duke përdorur të njëjtat metoda dhe llogaritje që zakonisht përdoren nga ekspertët e vlerësimit të rrezikut për të llogaritur rreziqet dhe primet e sigurimit.
Duke analizuar mospërputhjet midis datave të raportuara të vdekjes dhe datave të regjistrimit të vdekjes, si dhe duke i krahasuar ato me njoftimet për kërkim personash të publikuara nga të afërmit, gazetarët arritën të përllogarisnin se numri i vdekjeve që kanë ndodhur, por që ende nuk janë raportuar, është rreth 230,000./ad
