Last Updated on 25/11/2026 by Klara
Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni-Sarkozy, do të përballen me gjyqin vitin e ardhshëm për akuza që burojnë nga dënimi i ish-presidentit francez për komplotimin e financimit të fushatës së tij zgjedhore me para nga ish-diktatori libian, Muammar Gaddafi.
Akuzat lidhen kryesisht me tërheqjen e dëshmisë së një dëshmitari kyç, i cili fillimisht kishte deklaruar se kishte prova që mund ta implikonin Sarkozy-n. Çifti mohon akuzat.
Sarkozy u dënua me pesë vite burg në këtë çështje shtatorin e kaluar dhe u bë ish-presidenti i parë francez që përfundoi në burg, megjithëse qëndroi pas hekurave vetëm për 20 ditë. Ai ka mohuar vazhdimisht akuzat në këtë çështje, ndërsa vendimi përfundimtar në apel pritet të shpallet të hënën e ardhshme.
Që prej humbjes së garës për rizgjedhje në vitin 2012, Sarkozy është përballur me disa hetime penale.
Në vitin 2024, ai u dënua me një vit burg, nga i cili 6 muaj në liri me kusht, për financimin e paligjshëm të fushatës së tij për rizgjedhje në vitin 2012.
Në vitin 2021, u shpall fajtor për tentativë korruptimi ndaj një gjyqtari dhe u dënua me tre vite burg, dy prej të cilave me kusht. Në këtë mënyrë, ai u bë ish-presidenti i parë francez që mori dënim me burg. Megjithatë, atij iu lejua ta vuante dënimin në shtëpi, i pajisur me një byzylyk elektronik monitorimi, në vend që të shkonte në burg.
Çështja e re ka në qendër një biznesmen libian, Ziad Takieddine, i cili kishte deklaruar se zotëronte prova të shkruara se fushata zgjedhore e Sarkozy-t në vitin 2007 ishte financuar “bujarisht” nga Tripoli dhe se pagesat prej 50 milionë eurosh kishin vazhduar edhe pasi ai ishte bërë president.
Takieddine, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar, i tërhoqi akuzat e tij gjatë një interviste në vitin 2020.
Në atë kohë, Sarkozy thuhet se kishte deklaruar: “E vërteta më në fund po del në dritë”. Megjithatë, zyrtarët e konsideruan tërheqjen e dëshmisë si «jo të sinqertë» dhe nisën një hetim të ri për dosjen “Save Sarko”, nofka që, sipas mediave franceze, autorët e dyshuar i kishin vendosur operacionit.
Kështu, ish-kreu i shtetit dhe bashkëshortja e tij, ish-supermodelja dhe këngëtarja me origjinë italiane, do të përballen tashmë me akuzat për “komplot kriminal me qëllim kryerjen e mashtrimit” dhe për përfitim nga ndërhyrja e paligjshme në dëshminë e një dëshmitari./k.m
