Last Updated on 08/06/2026 by EL
Mes mijëra statujave dhe dekorimeve që zbukurojnë Katedralen e Milanos fshihen detaje të pazakonta dhe surprizuese: doreza boksi, kampionë të njohur sportivë, një raketë tenisi dhe madje edhe një portret i kamufluar i Musolinit.
Sipas arkivave të institucionit që kujdeset për ruajtjen e Duomos së Milanos, boksierët janë vetëm një nga kuriozitetet e shumta që mund të zbulohen në këtë kryevepër gotike.
Përgjatë shkallëve të fasadës që të çojnë drejt çatisë së katedrales mund të dallohen një kazmë alpinizmi dhe një çizme mali. Ndërsa në anën që sheh nga Galeria Vittorio Emanuele II ndodhen portretet e Vittorio Emanuele III, Benito Musolinit dhe Papës, të realizuara për të përkujtuar Paktet Laterane të vitit 1929. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fytyra e Musolinit u modifikua duke iu shtuar një mbulesë në kokë, me qëllim që prania e tij të bëhej më pak e dukshme. Megjithatë, forma karakteristike e fytyrës e bën ende të dallueshëm. Në çatinë e katedrales janë gdhendur një palë doreza boksi dhe katër figura boksierësh. Mes tyre spikasin dy emra të mëdhenj të sportit italian. Njëri është Primo Carnera, i cili më 29 qershor 1933 mposhti Jack Sharkey në Nju Jork dhe u shpall kampion bote për peshat e rënda përpara rreth 40 mijë spektatorëve. Tjetri është Erminio Spalla, fituesi i parë i një titulli evropian në boks për Italinë, i cili më vonë ndërtoi edhe një karrierë të suksesshme si aktor. Këto detaje tregojnë se Katedralja e Milanos përveç se është një monument fetar dhe arkitektonik, është edhe një thesar historish, simbolesh dhe surprizash të fshehura që vazhdojnë të mahnitin vizitorët nga e gjithë bota./FC
