Last Updated on 09/05/2026 by Anisa
Arti i Rilindjes në Itali, demokracia në Suedi dhe vetë njerëzit në Spanjë… Qytetarët europianë e përkufizojnë krenarinë kombëtare në mënyra të ndryshme dhe unike.
Në të gjithë Europën, krenaria për vendin rrallë buron nga një arsye e vetme, ndërsa intensiteti i saj ndryshon ndjeshëm nga shteti në shtet.
Arti dhe kultura, historia, gastronomia dhe politika ishin disa nga temat që përmendën qytetarët në nëntë vende anëtare të Bashkimit Europian, pjesë e një studimi të “Pew Research Center”,që analizoi se çfarë i bën njerëzit të ndihen krenarë për atdheun e tyre.
Ku është më e fortë krenaria për artin dhe kulturën?
Kur bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore, përfshirë traditat, simbolet kombëtare, artin dhe arkitekturën, Italia spikat mbi të gjitha.
Rreth katër në dhjetë italianë deklarojnë se ndihen krenarë për artin dhe kulturën italiane, duke vlerësuar trashëgiminë e Rilindjes dhe arkitekturën ikonike të vendit.
Kjo përbën burimin kryesor të krenarisë kombëtare për italianët dhe, krahasuar me vendet e tjera të përfshira në studim, ata janë më të prirurit ta lidhin krenarinë me artin dhe kulturën.
Megjithatë, vlerësimi për kulturën nuk kufizohet vetëm në Itali. Në Francë, një në katër qytetarë shprehet krenar për artin dhe mjeshtërinë franceze, duke përmendur edhe restaurimin e Katedrales Notre Dame.
Franca renditet gjithashtu ndër vendet ku qytetarët ndihen më krenarë për gastronominë, kuzhinën tradicionale dhe kulturën e verës e të djathit.
Motoja kombëtare “Liri, Barazi, Vëllazëri” mbetet një tjetër arsye krenarie për francezët.
Rreth dy në dhjetë francezë thonë se krenohen me nivelin e lirive në vendin e tyre, përfshirë edhe të drejtën për të protestuar.
Krenaria për historinë dhe njerëzit
Greqia kryeson për krenarinë historike, me 37% të qytetarëve që vënë në pah qytetërimin antik, filozofët dhe heroizmin e paraardhësve të tyre.
Po ashtu, më shumë se një në dhjetë grekë shprehen krenarë edhe për popullin e tyre, të cilin e përshkruajnë si mikpritës dhe të ngrohtë.
Një fenomen i ngjashëm vihet re në Europën Jugore. Spanjollët janë më krenarët për njerëzit e vendit të tyre, me 32% që theksojnë solidaritetin, mikpritjen dhe punën e palodhur të bashkëqytetarëve.
Në Hungari, ndjenja e krenarisë kombëtare shfaqet më e ndarë: 23% deklarojnë se nuk ndihen krenarë për vendin e tyre, ndërsa 21% vlerësojnë historinë dhe 20% popullin hungarez.
Hungaria është ndër të paktat vende ku përgjigjet negative janë pothuajse po aq të shpeshta sa edhe arsyet kryesore të krenarisë kombëtare.
Ndërkohë, Polonia e lidh krenarinë e saj me trashëgiminë historike, luftën për pavarësi dhe rolin në çështjet ndërkombëtare.
Polakët krenohen gjithashtu me njerëzit e tyre, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre.
Ku mbizotëron krenaria për politikën dhe ekonominë?
Sistemi politik është një nga burimet kryesore të krenarisë kombëtare në disa vende me të ardhura të larta, veçanërisht në Suedi dhe Gjermani.
Në Suedi, 53% e qytetarëve thonë se janë krenarë për mënyrën se si qeveriset vendi i tyre, përqindja më e lartë e regjistruar në studim për një arsye të vetme krenarie kombëtare.
Edhe gjermanët e lidhin krenarinë kryesisht me sistemin e tyre të qeverisjes, ndërsa shumë prej tyre besojnë se demokracia gjermane është ndër më të mirat në botë.
Nga ana tjetër, rreth dy në dhjetë gjermanë dhe holandezë shprehen krenarë për ekonominë dhe shërbimet publike që ofron shteti, si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe infrastruktura.
Sipas studimit, qytetarët që krenohen me shërbimet publike nuk mendojnë vetëm për përfitimet personale, por edhe për mbështetjen që sistemi u jep shtresave më të pambrojtura të shoqërisë./fjala.al-A.D
