Last Updated on 14/02/2025 by adminfjala
Qeveria ka vendosur që të heqë pensionet e parakohshme nëpërmjet reformës së re në skemën e sigurimeve shoqërore, ku do të preken edhe të vetëpunësuarit. Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, ka folur për emisionin “Koha për t’u zgjuar” në “News 24”, ku ka analizuar prezantimin e Kryeministrit Edi Rama mbi reformën në skemën aktuale.
Sipas ekspertit, një nga propozimet më të forta është ajo e heqjes së pensioneve të parakohshme, ndërsa me ligjin e ri pritet të preken edhe të vetëpunësuarit. “Nuk do të ketë më pensione të parakohshme, kjo ishte taksative.
Iu mëshua faktit që duhet të ketë kujdes që të mos ketë paga minimale për të vetëpunësuarit. 165 mijë të vetëpunësuar do të sigurohen, në rast se ligji miratohet, me një pagë më të lartë se minimalja.
U hodh ideja që duhet të synohet që me ligjin e ri të tregohet qëndrueshmëri në financa, ndërkohë që prishmëritë e qytetarëve janë që nuk duhet kjo status quo që është aktualisht”, tha ai. Hoxha nënvizoi se skema e sigurimeve shoqërore duhet të ndryshohet për shkak të problematikave të shumta që ka hasur në zbatimin e këtij ligji.
“I ka ardhur koha që skema e sigurimeve shoqërore duhet të ndryshohet, janë hasur shumë problematika në zbatimin e atij ligji. Një ndër reformat më të rëndësishme jo vetën të kësaj qeverie, por edhe atyre që do të vijnë.
Trajtohen mbi 700 mijë pensionistë aktualisht, por prekin edhe shumë të tjerë që do të vijnë”, u shpreh Hoxha. Ndërkohë duke folur pak ditë më parë për reformën e sistemit të pensioneve, kryeministri tha se duhet të udhëhiqet nga tre udhërrëfyes.
Rama u shpreh tha se qeveria do të vazhdojë me bonuset për pensionistët dhe do ndërhyjë në skemë pa prishur themelet e sistemit të reformës së pensioneve./ S.M