Një moment i shkurtër mes Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz në tapetin e kuq ka mjaftuar që rrjeti të nisë sërish aludimet për marrëdhënien e çiftit. Dyshja u shfaq në Festivalin Amerikan të Filmit në Deauville të Francës, më 8 shtator, ku në qendër të vëmendjes nuk ishin vetëm paraqitjet e tyre elegante, por edhe një episod që fansat e interpretuan si tension mes tyre.
Brooklyn dhe Nicola u fotografuan duke u puthur dhe përqafuar në tapetin e kuq, përpara se ai të largohej pak për t’i lënë bashkëshortes hapësirë të pozonte në mbështetje të koleges së saj në filmin “Prima”, Faye Dunaway, e cila atë mbrëmje u nderua me çmimin “Icon Award”.
Por, pak para se të largohej, Brooklyn vendosi të rregullonte bishtin e gjatë të fustanit Alberta Ferretti të Nicola-s, duke e zhvendosur pas saj në mënyrë që aktorja të mund të ecte lirshëm. Gjesti, që në pamje të parë mund të dukej si një veprim i zakonshëm i një bashkëshorti të kujdesshëm, mori një tjetër kuptim në rrjet për shkak të reagimit të Nicola-s.
Në videon që po qarkullon online, aktorja 31-vjeçare duket sikur e vështron Brooklyn-in me një shprehje jo fort të kënaqur, ndërsa ai tashmë ndodhet pranë barrierave. Reagimi i tyre u bë menjëherë objekt diskutimi dhe komentuesit nisën të spekulojnë nëse mes çiftit ka tensione të padukshme.
“Diçka në këtë video më bën të mendoj se ajo është lodhur pak prej tij”, shkroi një përdorues, ndërsa një tjetër ironizoi duke pyetur nëse Brooklyn tashmë është “punonjësi” i bashkëshortes së tij.
Të tjerë e komentuan situatën edhe më ashpër, duke e cilësuar Brooklyn-in si një “butler” apo si dikë që kujdeset për çdo detaj të paraqitjes së Nicola-s. Një tjetër përdorues shkroi se ai dukej sikur e kishte kuptuar menjëherë se “do ta dëgjonte më vonë”./mxh
