Sharon Stone ka bërë një rrëfim të pazakontë për jetën e saj intime dhe sentimentale, duke pranuar se prej kohësh nuk ka pasur fat në dashuri. Në moshën 68-vjeçare, ylli i “Basic Instinct” nuk ka ndërmend të hyjë në një lidhje thjesht për të mos qenë vetëm dhe pranon se tashmë kërkon diçka shumë më të thellë.
E ftuar në podcastin “Breakdown” të Mayim Bialik, aktorja tregoi se ka zgjedhur të qëndrojë celibate prej një kohe të gjatë, pasi nuk dëshiron më një marrëdhënie që bazohet vetëm te tërheqja fizike.
“Kam kohë që nuk kryej marrëdhënie seksuale, sepse jam në pikën ku dua të jem vetëm me dikë për të cilin kam ndjenja”, rrëfeu Stone.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte mënyra e drejtpërdrejtë me të cilën foli për jetën seksuale.
“Jam disi e mërzitur me këtë”, pranoi ajo, duke iu referuar seksit pa një lidhje emocionale.
Stone tha se sot nuk kërkon thjesht një burrë për të kaluar kohën, por një shok jete, dikë me të cilin të ketë një lidhje të vërtetë.
“Unë dua një shoqërues, jo thjesht dikë për të bërë seks”, u shpreh aktorja.
Dhe duket se kjo periudhë e gjatë beqarie nuk ka qenë aspak e lehtë për të. Me humor, Stone e përshkroi situatën e saj aktuale si “fazën pa fat fare”.
Megjithatë, aktorja beson se ndoshta pikërisht kjo është periudha që duhet të kalojë për të gjetur atë që dëshiron realisht.
“Jam një e dashur shumë e mirë, por nuk kam qenë e dashur prej shumë kohësh. Kam qenë e dashur për të dashur të këqij dhe kam qenë e dashur për të dashur të mirë”, tha ajo.
Por rrëfimi nuk përfundoi këtu. Pavarësisht martesave, lidhjeve dhe historive të dashurisë që ka përjetuar ndër vite, Sharon Stone bëri një deklaratë edhe më befasuese:
“Kam pasur dashuri në jetën time, por nuk mendoj se kam pasur dashurinë e madhe të jetës sime.”
Aktorja ka qenë e martuar dy herë, fillimisht me producentin Michael Greenburg dhe më pas me gazetarin Phil Bronstein. Martesa e dytë përfundoi në vitin 2004 dhe Stone ka qenë publikisht beqare që prej asaj kohe.
Në një tjetër rrëfim të bërë muajt e fundit, ajo kishte treguar edhe për momentin që sipas saj i dha fund martesës me Bronstein. Pas zbulimit të tumoreve në gjoks, Stone vendosi të ndiqte këshillën e mjekëve për një ndërhyrje, por pretendoi se ish-bashkëshorti e kishte kundërshtuar vendimin dhe e kishte cilësuar atë si “qesharak”.
Në fund, tumoret rezultuan beninje dhe ndërhyrja nuk u krye. Por për Stone, ai moment ishte pikërisht pika ku kuptoi se martesa e saj kishte marrë fund./mxh
