Last Updated on 22/03/2026 by Anisa
Nga Anisa Daci
Ka qenë dukshëm aktive me urime në ditët e fundit, por mesazhet e Elisa Spiropalit, edhe pse nuk janë direkte, janë të koduara dhe të rafinuara, të ndërtuara me kujdes për të përcjellë një qëndrim politik pa hyrë në përplasje të hapur.
Pas urimeve: çfarë po thotë realisht Spiropali?
Në pamje të parë, urimet e Elisa Spiropalit për Bajrami i Madh, Sulltan Nevruzin dhe Dita Ndërkombëtare e Gruas duken si mesazhe standarde festive dhe sociale. Por të vendosura në kontekstin e largimit nga detyra, ato lexohen ndryshe: si një mënyrë e tërthortë për të komunikuar një qëndrim politik pa e thënë hapur.
Në urimin për Bajramin, ajo shkruan: “Vetëm sakrifica na afron me të vërtetën, dhe vetëm e vërteta sjell naltësimin.”
Kjo frazë, në një moment kur ajo sapo ka lënë një funksion, merr kuptim politik: ajo po e paraqet veten si pjesë e një rruge sakrifice, jo si dikush që humbi një post. Pra mesazhi është: ajo është në anën e duhur, edhe nëse ka kosto.
Në urimin për Sulltan Nevruzin: “Ekziston një çelës për çdo portë, ekziston një agim për çdo natë të errët.”
Kjo është një nga frazat më të qarta në nëntekst. “Nata e errët” mund të lexohet si momenti i largimit
“agimi” si ajo që vjen më pas Mesazhi është i drejtpërdrejtë: kjo është një fazë kalimtare, jo fundi.
Në mesazhin për 8 Marsin, ajo shkruan: “Ato që luftojnë kundër normalizimit të shtypjes…”Kjo fjali shkon përtej një urimi, është një deklaratë qëndrimi.
Edhe reagimi i saj pas largimi nga detyra ishte i ngarkuar në sinjale:
“Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim.”
– Lë të kuptohet: nuk largohem nga politika, mbetem aktive.
“Mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal.”
– lojalitet po, nënshtrim jo. Nuk jam e manipulueshme.
“Zgjedhëm përgjegjësinë kur populizmi ofronte duartrokitje të shpejta.”
– Goditje e koduar ndaj oportunistëve dhe populistëve brenda politikës.
“Politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme.”
– nuk jam këtu për pushtet personal.
“Historia nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit.”
-Mesazh për rivalët: ndikimi im mbetet, edhe në largim.
“Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol… gjurma është zgjedhje e vetëdijshme.”
– Goditje e koduar ndaj atyre që mendojnë për pozicion dhe ambicie personale mbi vendin.
Kjo e vendos atë në një pozicion aktiv, jo pasiv, edhe pas largimit. Reagimet e Elisa Spiropalit nuk duken thjesht urime. Janë një strategji komunikimi.
