Pas ditëve të nxehta të verës, temperaturat duket se kanë nisur të ulen dhe mbrëmjet e fundit të gushtit po sjellin një freski të këndshme. Në këto netë, dëshira për një vakt pak më të ngrohtë rritet, por pa hequr dorë nga ushqimet e lehta dhe të shëndetshme.
Nëse po kërkoni ide për një darkë që të jetë e shijshme, ushqyese dhe të mos rëndojë stomakun para gjumit, proteinat e lehta, perimet dhe bishtajoret janë një zgjedhje ideale.
Peshku i bardhë, vezët dhe bishtajoret mund të kombinohen në receta të thjeshta dhe të shpejta. Merluci, levreku, krapi i detit apo gjiza e peshkut janë të pasura me proteina dhe relativisht të lehta për t’u tretur. Edhe vezët mund të përfshihen në darkë, veçanërisht në formën e një omëleteje me perime, ndërsa thjerrëzat mund të shërbehen në sallata ose të kombinohen me perime të pjekura.
Çfarë duhet të shmangim në darkë?
Nëse synojmë një gjumë sa më të qetë, është mirë të mos e teprojmë me ushqimet shumë të yndyrshme, të skuqurat, mishrat e kuq, sallamrat dhe djathrat e stazhionuar. Edhe gatimet me shumë yndyrë apo erëza pikante mund të shkaktojnë rëndesë dhe parehati.
Po ashtu, ëmbëlsirat me shumë sheqer, pijet me kafeinë dhe pijet energjike nuk janë zgjedhja më e mirë në orët e vona. Edhe alkooli mund të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit.
5 receta të thjeshta për një darkë të freskët vere
1. Tortë me patate, bizele dhe perime
Një tortë me patate është gjithmonë një zgjedhje e mirë për darkë dhe mund të shërbehet edhe e vakët. Për ta bërë më të pasur dhe ushqyese, mund t’i shtojmë bizele, bishtaja dhe pak salcë perimesh.
Përbërësit:
200 g bizele të gatuara
6 lugë salcë perimesh
6 vezë
2 patate
1 grusht bishtaja
Kripë
Vaj ulliri
Përgatitja:
Lani dhe prisni bishtajat në shirita të hollë. Ziejini për rreth një minutë në ujë me kripë dhe më pas kullojini.
Qëroni patatet, pritini në feta të holla dhe skuqini lehtë në një tigan me pak vaj. Në një enë të madhe rrihni vezët dhe shtoni bizelet, salcën e perimeve dhe patatet.
Hidhni pak vaj në tigan dhe shtoni përzierjen. Gatuajeni tortën nga të dyja anët derisa të marrë ngjyrë të artë. Në fund, shërbejeni të vakët dhe dekorojeni me bishtajat.

2. Pulë me brokoli, arra dhe salcë soje në tigan
Një vakt i shpejtë, i shijshëm dhe plot me proteina. Wok-u mundëson gatimin e përbërësve me pak yndyrë, duke ruajtur shijen dhe vlerat ushqyese.
Përbërësit:
2 gjokse pule
1 brokoli i vogël
1 qepë e njomë
1 thelb hudhër
Vaj ulliri
4 lugë salcë soje
1 grusht arra
Kripë
Piper i zi
Përgatitja:
Ndajeni brokolin në copa dhe ziejeni për rreth 5 minuta. Kullojeni dhe vendoseni në ujë të ftohtë për pak çaste.
Prisni pulën në kube dhe rregullojeni me kripë e piper. Ngrohni pak vaj dhe skuqni lehtë pulën. Shtoni brokolin, qepën e njomë dhe hudhrën e grirë.
Pas rreth dy minutash shtoni salcën e sojës dhe ngrini temperaturën. Përziejini vazhdimisht përbërësit. Në fund shtoni arrat e copëtuara dhe vazhdoni gatimin edhe për rreth 3 minuta.

3. Sallatë e vakët me thjerrëza, karota dhe djathë
Sallatat nuk janë vetëm për ditët e nxehta. Një version i vakët me thjerrëza, perime dhe djathë feta mund të jetë një darkë e plotë dhe shumë e shijshme.
Përbërësit:
1 kavanoz thjerrëza të gatuara
3 karota
1 kungulleshkë
1 kavanoz angjinare
1 qepë
100 g djathë feta
3 lugë salcë soje
2 lugë vaj ulliri ekstra të virgjër
1 lugë sheqer kaf
Kripë
Piper
Përgatitja:
Ngrohni furrën në 180°C. Qëroni karotat dhe pritini në shkopinj. Vendosini në tavë, shtoni kripë, piper dhe pak vaj ulliri. Piqini për rreth 15 minuta.
Ndërkohë, prisni qepën në shirita dhe kungulleshkën në kube. Kaurdisini lehtë në një tigan me pak vaj dhe më pas shtoni thjerrëzat e kulluara.
Në një enë bashkoni përzierjen me karotat e pjekura dhe angjinaret e prera. Shtoni djathin feta të thërrmuar.
Përgatisni një salcë me vaj ulliri, salcë soje dhe sheqer kaf dhe hidheni sipër sallatës.

4. Merluc me domate dhe borzilok
Nëse dëshironi një darkë të lehtë dhe të pasur me proteina, merluci me domate dhe borzilok është një zgjedhje ideale. Është një kombinim i thjeshtë, aromatik dhe me pak kalori.
Përbërësit:
8 fileto merluci
1 kg domate të pjekura
4 lugë vaj ulliri ekstra të virgjër
1 lugë çaji sheqer
1 lugë borzilok të freskët të grirë
Lëng limoni
Borzilok i freskët
Kripë
Piper
Përgatitja:
Përvëloni domatet për disa sekonda në ujë të nxehtë, qërojini dhe hiqni farat. Vendosini në një tenxhere me borzilok, pak kripë dhe sheqer. Shtoni gradualisht vajin e ullirit dhe përziejini derisa të krijohet një salcë homogjene.
Rregulloni filetot e merlucit me kripë e piper, spërkatini me pak lëng limoni dhe gatuajini në mënyrë të butë.
Në fund, vendosini në pjata dhe hidhni sipër salcën e ngrohtë të domates. Dekorojini me gjethe borziloku të freskët.

5. Krem supë me kungulleshka
Një krem-supë e ngrohtë, e lehtë dhe plot shije është ideale për një mbrëmje më të freskët. Kungulleshka kombinohet me patate dhe qepë për t’i dhënë supës një teksturë kremoze, ndërsa pak pana gatimi e bën edhe më të butë. Është një recetë e thjeshtë, ushqyese dhe që mund të shërbehet si një darkë e lehtë për të gjithë familjen.
Përbërësit:
2 kungulleshka
1 patate e madhe
1 qepë e vogël
500 ml lëng perimesh
Pak pana për gatim
Vaj ulliri
Kripë
Piper
Përgatitja:
Lani, thani dhe prisni kungulleshkat në copa.
Qëroni qepën dhe pataten dhe pritini në copa mesatare.
Në një tenxhere ngrohni pak vaj ulliri dhe kaurdisni qepën derisa të bëhet transparente.
Shtoni kungulleshkat dhe pataten, rregulloni me kripë e piper dhe kaurdisini në zjarr mesatar për rreth 10 minuta.
Shtoni lëngun e perimeve dhe lërini të ziejnë për rreth 20 minuta.
Kalojini perimet në blender dhe përziejini derisa të përftoni një krem të njëtrajtshëm.
Provoni shijen dhe, nëse është e nevojshme, shtoni pak kripë ose piper.
Shtoni panën e gatimit dhe lëreni edhe 3 minuta në zjarr.
Shërbejeni të ngrohtë në pjata të thella ose tasa./mxh
