Aktorja irlandeze e nominuar për Oscar, Saoirse Ronan, ka rikonfirmuar dëshirën e saj për t’iu bashkuar filmit të ardhshëm të James Bond, por jo në një rol të zakonshëm. Ajo dëshiron të luajë antagonisten kryesore të agjentit 007.
“Dua të shkoj në anën e errët. Kam thënë se dua të luaj një antagoniste të Bond-it dhe jam shumë serioze për këtë”, është shprehur Ronan në një intervistë të fundit për Empire.
Aktorja, e njohur për filmat Lady Bird, Brooklyn, Little Women dhe The Grand Budapest Hotel, ka shpjeguar se një rol i tillë do t’i jepte mundësinë të eksploronte një anë më të errët të aktrimit.
“Do të ishte shumë interesante të kishim një antagoniste të re femër. Sidomos për vajzat dhe gratë, të shohin dikë që mund të marrë gjithë atë zemërim të grumbulluar dhe ta drejtojë diku tjetër. Ka diçka shumë interesante në aspektin dramatik. Do të doja shumë të bëja më tepër role të tilla”, ka thënë ajo.
Kjo nuk është hera e parë që Ronan shpreh publikisht dëshirën për të luajtur një antagoniste në universin e James Bond. Në vitin 2024, ajo deklaroi se do të vazhdonte ta përsëriste dëshirën e saj për këtë rol, duke theksuar se i pëlqen veçanërisht të luajë personazhe me një anë të keqe.
Por këtë histori e bën edhe më interesante një detaj tjetër. Bashkëshorti i Saoirse Ronan, aktori Jack Lowden, i njohur për rolin e tij në Slow Horses, konsiderohet aktualisht një nga emrat favoritë për të marrë rolin e James Bond-it të ardhshëm.
Nëse të dy do të përzgjidheshin për filmin e 26-të të serisë, ata do të bëheshin çifti i parë i martuar që do të interpretonte përballë njëri-tjetrit në një film të James Bond.
Megjithatë, Ronan ka treguar më herët se, nëse do t’i duhej të zgjidhte mes dy roleve, do të preferonte që bashkëshorti i saj të bëhej 007, sesa ajo të merrte rolin e villains.
Filmi i ardhshëm i James Bond ende nuk ka zbuluar zyrtarisht aktorin që do të pasojë Daniel Craig në rolin e agjentit 007. Ndërkohë, emri i Jack Lowden vazhdon të qarkullojë mes favoritëve.
Nëse Ronan do të realizonte dëshirën e saj, një villain femër kryesore, e interpretuar nga një aktore me gamën e saj dramatike, do të ishte një ndryshim i fortë për ekskluzivitetin./mxh
