Një rekord i jashtëzakonshëm mes mitit, numrave dhe teknologjisë
Nga Francesco Gallo
“Askush nuk mund të më ndalojë të kthehem në shtëpi, as edhe vetë perënditë”. Kjo është sfida e Uliksit përballë fatit, një sfidë që duket se e ka marrë përsipër edhe Christopher Nolan në realizimin e versionit të tij kinematografik të “Odisesë”.
Arsyeja është e thjeshtë: sipas regjisorit, kjo vepër homerike është burimi i shumë historive që kemi treguar gjatë mijëvjeçarëve.
“Përmban të gjitha historitë. Kam zbuluar se Odisea gjendet në çdo rrëfim që kam hasur ndonjëherë: te Interstellar, te trilogjia Kalorësi i Errët, te Inception. Është një histori kthimi në atdhe, e rritjes, e dashurisë dhe vdekjes, e humbjes dhe e luftës. Pikërisht për këtë arsye ajo ka magjepsur kulturën njerëzore për tre mijë vjet”, shprehet Nolan.
Filmi i ri, që do të shpërndahet më 16 korrik nga Universal, synon të jetë më shumë sesa një përshtatje klasike: një përpjekje për të sjellë në ekran një arketip universal të aventurës njerëzore.
Shifrat e këtij projekti janë po aq epike sa edhe vetë miti.
Kohëzgjatja e filmit është pak më pak se tre orë. Buxheti arrin në 250 milionë dollarë, shifra më e lartë e investuar ndonjëherë në një film të Christopher Nolan. Por rekordi më i madh lidhet me teknologjinë: Odisea është filmi i parë artistik i xhiruar tërësisht me kamera IMAX në film 70 mm.
Për këtë projekt janë përdorur mbi dy milionë këmbë film IMAX 70 mm, ekuivalent me rreth 610 kilometra material filmik. Vetëm kostoja e këtij materiali vlerësohet rreth 3 milionë dollarë, pa përfshirë proceset e zhvillimit dhe printimit.
Një nga arsyet pse Nolan zgjodhi këtë rrugë ishte dëshira për të ruajtur ndjesinë fizike të kinemasë klasike. Gjenerata e re e kamerave IMAX është më e lehtë dhe më e qetë, duke eliminuar një nga problemet historike të këtij formati: zhurmën e mekanizmit gjatë regjistrimit të dialogëve.
Por sfida nuk ishte vetëm teknologjike.
“Odisea” është xhiruar në gjashtë vende të ndryshme: Greqi, Itali (përfshirë zona të Siçilisë dhe Ishujve Eolianë), Marok, Islandë, Skoci dhe Maltë. Nolan, si edhe në filmin “Oppenheimer”, ka preferuar sa më shumë që të jetë e mundur ambientet reale në vend të skenave virtuale dhe efekteve dixhitale.
Regjisori këmbënguli në përdorimin e anijeve të vërteta, strukturave fizike gjigante dhe mijëra figurantëve. Një nga shembujt më spektakolarë është Kali i Trojës, simboli i famshëm i mashtrimit ushtarak, i cili u ndërtua në përmasa monumentale.
Për nevojat e xhirimit u krijuan disa versione të kalit, secili rreth dhjetë metra i lartë. Disa u përdorën për skenat e jashtme, ndërsa të tjerë për skenat e brendshme ku lëviznin aktorët.
Një detaj i veçantë: kali nuk kishte rrota.
Nolan nuk i dëshironte ato, sepse në vizionin e tij ai duhej të ishte një masë gjigante druri që tërhiqej mbi rërë dhe më pas drejt qytetit me litarë, mekanizma dhe forcën e qindra njerëzve. Sipas tij, kjo e bënte më realist dhe më madhështor vizualisht.
Regjisori ka treguar se e kishte imagjinuar këtë skenë për më shumë se njëzet vjet: një Kalë Troje i shtrirë mbi rërë, pothuajse si një anije gjigante e dalë në breg. Një imazh që, sipas tij, i sillte ndër mend skenën e famshme me Statujën e Lirisë në fund të filmit “Planet of the Apes”.
Përtej shifrave dhe përmasave të prodhimit, një tjetër element i jashtëzakonshëm është kasti i aktorëve.
Në rolin e Uliksit është Matt Damon, Anne Hathaway interpreton Penelopën, Tom Holland është Telemaku, ndërsa pjesë e kastit janë gjithashtu Robert Pattinson, Lupita Nyong’o, Samantha Morton, Zendaya dhe Charlize Theron.
Pse kaq shumë yje?
Sipas Nolanit, jo vetëm sepse janë aktorë të mëdhenj, por sepse kanë një marrëdhënie të veçantë me publikun.
“Në një farë mënyre ata janë legjendarë, ashtu si figurat legjendare të kësaj poeme. Publiku mund të identifikohet me ta, duke nisur nga Matt Damon, por ata kanë edhe një dimension tjetër, pothuajse transcendental. Ky kombinim më dukej i përsosur për ta treguar këtë histori në një mënyrë moderne”, thotë regjisori.
Me “Odisenë”, Christopher Nolan nuk po tenton thjesht të rrëfejë një udhëtim të lashtë drejt Itakës. Ai kërkon të rikthejë në ekran një nga pyetjet më të vjetra të njerëzimit: çfarë do të thotë të humbasësh gjithçka dhe, pavarësisht perëndive, luftërave dhe fatit, të kërkosh rrugën për t’u kthyer në shtëpi.
