Gjykata pritet të vendosë këtë të diel për masat e sigurisë ndaj tre vajzave që dhunuan dhe mbajtën me forcë 17-vjeçaren në Fier.
Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuzën për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim, dhe ka kërkuar masa të ndryshme sigurie për secilën prej tyre.
Për shtetasen L.L. është kërkuar masa “Arrest me burg”, për të miturën K.G. “Arrest në shtëpi”, ndërsa për të miturën M.R. është kërkuar “Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik”.
Nëna e 15-vjeçares, për të cilën është kërkuar shtrimi i përkohshëm në spital psikiatrik, ka deklaruar se familja e saj nuk ka pasur njohje me vajzën e dhunuar apo me familjarët e saj.
Ajo ka thënë gjithashtu se nuk njihte as dy vajzat e tjera që shoqëroheshin me të bijën.
Sipas saj, vajza kishte shfaqur probleme të vazhdueshme në sjellje dhe në shkollë, ndërsa shpesh kthehej në shtëpi në orët e vona të natës pa treguar se ku kishte qenë.
Ajo ka pretenduar se familja kishte kërkuar ndihmë disa herë për problemet e vajzës.
“Nuk dimë asgjë për gjendjen e vajzës, ndaj jam shqetësuar shumë sepse nuk kam asnjë informacion për analiza apo të tilla. E kam takuar 2 herë vajzën në spital.
Vajza nuk kishte rroba të reja apo telefon, vetëm ato që i blinim ne. Kur vinte në shtëpi në orët e para të mëngjesit nuk më tregonte ku ishte, më thoshte isha me shoqe. Shoqet e vajzës nuk i njihja as prindërit e tyre. I njoha në polici.
Me prindërit e vajzës së rrahur nuk kam pasur fare kontakt. Ne kemi 1 vit që kemi shkuar në polici disa herë. Në shkollë vajza nisi të ketë shqetësime. Drejtoria e shkollës na nxorri jashtë ne si prindër dhe vajzën, na tha zhdukeni jashtë.
Psikologia qeshte me ne. Vajzën e çuam në një shkollë tjetër por ajo nuk pranonte. Vajza e ka denoncuar edhe babanë për dhunë. Unë kërkoj kurim të plotë për vajzën si dhe dua informacione për gjendjen e saj”, u shpreh ajo./Kb
