Last Updated on 06/01/2026 by Kesjana
Mandati i dytë i presidentit amerikan Donald Trump po formësohet nga ambiciet e tij në politikën e jashtme. Ai u ka shkuar deri në fund kërcënimeve ndaj Venezuelës duke kapur presidentin e saj dhe bashkëshorten nga kompleksi i fortifikuar në Karakas, në një bastisje dramatike gjatë natës.
Duke përshkruar operacionin, Trump riktheu në vëmendje Doktrinën Monroe të vitit 1823 dhe premtimin për supremacinë amerikane në hemisferën perëndimore, duke e riemërtuar si “Doktrina Donroe”.
Këtu janë disa nga paralajmërimet që ai ka bërë kundër vendeve të tjera në orbitën e Uashingtonit ditët e fundit:
Groenlanda
SHBA-të kanë tashmë një bazë ushtarake në Groenlandë (Pituffik Space Base) por Trump dëshiron të gjithë ishullin.
“Na duhet Groenlanda nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare,” tha ai për gazetarët, duke shtuar se rajoni ishte “i mbuluar me anije ruse dhe kineze gjithandej.”
Ishulli i madh arktik, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, ndodhet rreth 3 mijë e 200 km në verilindje të SHBA-ve. Ai është i pasur me minerale të rralla, të domosdoshme për prodhimin e telefonave inteligjentë, automjeteve elektrike dhe pajisjeve ushtarake. Aktualisht, prodhimi i Kinës në këtë fushë tejkalon ndjeshëm atë të SHBA-ve.
Groenlanda ka gjithashtu një pozicion strategjik në Atlantikun e Veriut, duke ofruar akses në rrethin arktik që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Me shkrirjen e akullnajave polare, pritet të hapen rrugë të reja detare.
Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, e quajti idenë e kontrollit amerikan mbi ishull si një “fantazi”. Ai tha: “Jo më presion. Jo më insinuata. Jo më fantazi aneksimi. Jemi të hapur për dialog, por kjo duhet të ndodhë përmes kanaleve të duhura dhe me respekt për të drejtën ndërkombëtare.”
Kolumbia
Vetëm disa orë pas operacionit në Venezuelë, Trump paralajmëroi presidentin kolumbian Gustavo Petro të “ketë kujdes”.
Kolumbia, fqinji perëndimor i Venezuelës, ka rezerva të mëdha nafte dhe është prodhues i rëndësishëm i arit, argjendit, smeraldeve, platinit dhe qymyrit. Ajo është gjithashtu një qendër kryesore e trafikut të drogës në rajon, veçanërisht të kokainës.
Që nga shtatori, SHBA-të kanë filluar të godasin anije në Karaibe dhe Paqësorin lindor, duke thënë, pa prova, se transportonin drogë. Kjo ka përshkallëzuar konfliktin me presidentin e majtë Petro.
Në tetor, SHBA-të vendosën sanksione ndaj tij, duke e akuzuar se po lejonte kartelet të “lulëzonin”.
Duke folur në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, Trump tha se Kolumbia po drejtohej nga “një njeri i sëmurë që pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë në SHBA”. Ai shtoi: “Nuk do ta bëjë për shumë gjatë.” I pyetur nëse SHBA-të do të kryenin një operacion kundër Kolumbisë, ai u përgjigj: “Më duket ide e mirë.”
Historikisht, Kolumbia ka qenë aleat i ngushtë i Uashingtonit në luftën kundër drogës, duke marrë qindra miliona dollarë ndihmë ushtarake çdo vit.
Irani
Irani po përballet aktualisht me protesta masive kundër qeverisë, dhe Trump paralajmëroi se autoritetet do të “goditen shumë rëndë” nëse vriten më shumë protestues.
“Po e ndjekim nga afër. Nëse fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, mendoj se do të goditen shumë rëndë nga SHBA,” tha ai për gazetarët.
Edhe pse Irani bie jashtë fushës së “Doktrinës Donroe”, Trump ka kërcënuar më parë regjimin iranian me veprime të tjera, pas goditjes së objekteve bërthamore vitin e kaluar.
Këto sulme pasuan një operacion të madh izraelit për të shkatërruar kapacitetin e Iranit për zhvillimin e armëve bërthamore, që kulmoi me konfliktin 12‑ditor Izrael‑Iran.
Në një takim në resortin e tij Mar‑a‑Lago javën e kaluar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Irani ishte në krye të agjendës. Mediat amerikane raportuan se Netanyahu ngriti mundësinë e sulmeve të reja kundër Iranit në vitin 2026.
Meksika
Ngjitja e Trump-it në pushtet në vitin 2016 u përcaktua nga thirrjet e tij për “Ndërtimin e Murit” përgjatë kufirit jugor me Meksikën.
Në ditën e parë të rikthimit në detyrë në vitin 2025, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ta riemërtuar Gjirin e Meksikës si “Gjiri i Amerikës”.
Ai shpesh ka akuzuar autoritetet meksikane se nuk bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar rrjedhën e drogës dhe emigrantëve të paligjshëm drejt SHBA-ve.
Duke folur të dielën, Trump tha se droga po “derdhej” përmes Meksikës dhe se “do të duhet të bëjmë diçka”, duke shtuar se kartelet atje ishin “shumë të forta”.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka refuzuar publikisht çdo veprim ushtarak amerikan në tokën meksikane.
Kuba
Ishulli, që ndodhet vetëm 145 km në jug të Floridës, ka qenë nën sanksione amerikane që nga fillimi i viteve 1960 dhe ka pasur lidhje të ngushta me Venezuelën e Nicolás Maduros.
Trump sugjeroi të dielën se ndërhyrja ushtarake amerikane nuk ishte e nevojshme, sepse Kuba ishte “gati të bjerë”.
“Nuk mendoj se na duhet ndonjë veprim,” tha ai. “Duket sikur po rrëzohet.”
Ai shtoi: “Nuk e di nëse do të rezistojnë, por Kuba tani nuk ka të ardhura. Të gjitha i merrnin nga Venezuela, nga nafta venezueliane.”
Raportohet se Venezuela furnizon rreth 30% të naftës së Kubës, duke e lënë Havanën të ekspozuar nëse furnizimi bie me largimin e Maduros.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, djalë i dy emigrantëve kubanezë, ka kërkuar prej kohësh ndryshim regjimi në Kubë. Ai tha: “Nëse do të jetoja në Havana dhe do të isha në qeveri, do të isha i shqetësuar, të paktën pak.”
“Kur presidenti flet, duhet ta merrni seriozisht,”shtoi ai./kb
