Rritja e numrit të fëmijëve të fokusuar te kujdesi i lëkurës ka shqetësuar disa ekspertë për ndikimet në imazhin trupor dhe shëndetin mendor. Por sisa ekspertë paralajmërojnë që duhet të kemi kujdes të mos i “kthejmë në sëmundje” shumë shpejt trendet apo sjelljet e reja.
Dyqanet e Sephora-s po mbushen me fëmijë të vegjël që provojnë produkte pa pushim. Fëmijë tetë-vjeçarë filmojnë veten në “Sephora hauls” dhe video “GRWM (get ready with me)”, duke aplikuar serume për rritjen e kolagjenit dhe kremra me retinol për rrudha që nuk i kanë ende. Çantat e festave po mbushen me maska fytyre dhe shirita të butë për flokët, në vend të shkëlqyesve dhe karameleve.
Rritja e “Sephora kids” është një çështje e raportuar gjerësisht, por rritja e fëmijëve “të fiksuar” me kujdesin e lëkurës ka ngritur shqetësime tek disa ekspertë për efektet afatgjata të përdorimit të produkteve të papërshtatshme për moshën dhe për fokusin e tepërt te pamja në një moshë kaq të vogël.
Një term i ri ka hyrë në përdorim: “cosmeticorexia”, që nënkupton një preokupim ose fiksim me lëkurën “perfekte”. Muajin e kaluar, kur autoritetet italiane goditën disa marka të mëdha bukurie për dyshime se po synonin klientë gjithnjë e më të vegjël, ata përmendën cosmeticorexia si një shqetësim. Në mars, një çift studiuesish italianë publikuan një studim me pacientë të rritur, duke sugjeruar se cosmeticorexia “mund të përfaqësojë një çrregullim klinikisht të rëndësishëm mendor”. Ata thonë se kërkon më shumë hulumtim, monitorim dhe ndoshta trajtim.
Profesori i asociuar Giovanni Damiani, bashkautor i studimit, dermatolog dhe studiues në Universitetin e Milanos, kishte vënë re rritje të rasteve të dermatitit irritues dhe alergjik në fytyrat e pacientëve 8 deri 14 vjeç në praktikën e tij. “Të gjithë përdornin kozmetikë të ngjashme,” thotë Damiani, përfshirë eksfoliantë kimikë si acidet alfa-hidroksi dhe retinoidet pa recetë mjekësore.
Këta pacientë shfaqnin edhe sjellje shqetësuese. “Refuzonin të dilnin pa makeup, për shembull,” thotë ai. “Përdorimi i tepruar i kozmetikës ose shikim i videove të lidhura me kozmetikën. Ndryshim i interesave, duke zhdukur pothuajse gjithçka tjetër.”
Damiani u bashkua me psikologun klinik Alberto Stefana nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në Romë për të studiuar cosmeticorexia (e quajtur edhe “dermorexia”, një term i përdorur fillimisht nga kolumnistja e Guardian Jessica DeFino në Substack në 2023).
“Ajo që na intereson, përveç termit, është të kuptojmë nëse cosmeticorexia mund të konsiderohet te para-adoleshentët si një faktor rreziku për dismorfinë trupore,” thotë Damiani. “Dhe së dyti, nëse përdorimi i tepërt i kozmetikës në moshë të vogël mund të çojë në dermatit”
Grace Collinson, menaxhere programi klinik në Butterfly Foundation, një organizatë australiane për çrregullimet e të ngrënit dhe imazhin trupor, thotë se ka rritje të pacientëve me “shqetësim të lidhur me pamjen, veçanërisht te të rinjtë”. Kjo përfshin “fokus të shtuar te lëkura, te papërsosmëritë e perceptuara dhe një shtysë të fortë drejt ‘perfeksionit’”.
Megjithatë, këto sjellje ndodhin paralelisht me modele të tjera si “niveli i lartë i vetëvëzhgimit”, shpesh i lidhur me përdorimin e rrjeteve sociale, “sjellje të përsëritura si shikimi i pasqyrës dhe pickimi i lëkurës”, si dhe ankthi, vetëvlerësimi i ulët dhe çrregullimet e të ngrënit. Cosmeticorexia nuk është një term i përdorur gjerësisht dhe nuk është një diagnozë zyrtare, por terma të rinj mund të jenë të dobishëm, thotë Collinson.
“Njohja e kësaj gjendjeje mund të ndihmojë në trajtim më të mirë,” thotë Damiani. Ai shton se, megjithëse rreziku është më i madh te fëmijët dhe adoleshentët, cosmeticorexia mund të ndikojë çdo moshë.
“Për disa njerëz mund të jetë e dobishme të dëgjojnë një term të ri që shpjegon përvojën e tyre,” thotë Collinson. “Gjithashtu ndihmon për të kapur fenomene të reja kulturore dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj trendeve shqetësuese.”
Ana negative, thotë ajo, është se terma jo-klinikë mund të “mjekojnë në mënyrë të panevojshme sjellje që nuk përmbushin kriteret e një çrregullimi mendor, ose të zvogëlojnë seriozitetin e çrregullimeve si dismorfia trupore”.
Në studimin e tyre, studiuesit italianë e krahasuan cosmeticorexia me ortoreksinë, një obsesion ekstrem me ushqimin e shëndetshëm që gjithashtu nuk është i klasifikuar zyrtarisht si çrregullim. Ata vunë re ngjashmëri edhe me çrregullimin dismorfik trupor dhe çrregullimin obsesiv-kompulsiv.
Dr. Jasmine Fardouly nga Universiteti i Sidneit thotë se termat e rinj mjekësorë mund të krijojnë konfuzion, sidomos kur simptomat përputhen me çrregullime ekzistuese. Ajo thotë se dismorfia trupore shpesh përfshin shqetësim të tepruar për fytyrën dhe është e zakonshme te të rinjtë.
Fëmijë që në moshën gjashtë vjeç raportojnë shqetësime për pamjen, thotë Fardouly.
Ndikimi i influencerëve
Collinson thotë se problemi është po aq shoqëror sa individual. “Rritja e marketingut me influencerë, reklamimi i targetuar dhe rutinat gjithnjë e më komplekse të kujdesit të lëkurës edhe te adoleshentët kanë krijuar një mjedis ku ‘defektet’ perceptohen dhe shiten.”
Të rinjtë mësohen jo vetëm të kenë frikë nga plakja apo lëkura e papërsosur, por edhe të besojnë se duhet të arrijnë perfeksion ose të blejnë produkte të shtrenjta për t’u pranuar.
15-vjeçarja Erin nga Sydney thotë se shikon video në YouTube dhe TikTok për kujdesin e lëkurës dhe blen produkte sipas influencerëve. Ajo nuk del kurrë në shkollë pa makeup dhe rutinë të plotë.
Rituali i saj përfshin larës fytyre, hidratues, serum dhe spraj fytyre, si dhe krem për sytë natën.
Ajo nuk beson se ka cosmeticorexia, por thotë se është thjesht një obsesion normal me makeup-in dhe kujdesin e lëkurës.
Erin shton se përdorimi i rrjeteve sociale ka ndikuar shumë: të rinjtë përdorin produkte që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre, si retinoli.
Jo çdo pakënaqësi me pamjen është cosmeticorexia, thotë Fardouly. Mbi 50% e të rinjve janë të pakënaqur me pamjen e tyre dhe deri në 90% kanë të paktën disa shqetësime. Por kur bëhet e tepruar, kërkimi i ndihmës është i rëndësishëm.
Dr. Deshan Sebaratnam nga Universiteti i New South Wales thotë se dismorfia trupore mund të prekë këdo dhe manifestohet në mënyra të ndryshme. Kur shqetësimi bëhet preokupim dhe ndikon në funksionimin e përditshëm, mund të jetë çrregullim.
Ai e konsideron cosmeticorexia si “një mutacion të ri të një problemi të vjetër”, pra një version i ri i dismorfisë trupore.
Ai shton se rrjetet sociale dhe filtrat kanë rritur presionin për pamje perfekte.
Studiuesit italianë po kryejnë tre studime të tjera për të kuptuar më mirë fenomenin. Në studimin e parë, Damiani thotë se ata që shfaqnin cosmeticorexia ishin gjithashtu shumë të varur nga rrjetet sociale. Qëllimi i tyre i parë është thjesht të kuptojnë fenomenin./theguardian-fjala.al
