Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se Rusia është deri tani fituesi i vetëm i luftës në Lindjen e Mesme, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe zvogëlimit të vëmendjes ndaj luftës së saj kundër Ukrainës.
Në një fjalim për ambasadorët e BE-së në Bruksel, Costa tha se Rusia po përfiton nga burime të reja financimi për luftën në Ukrainë dhe nga shpërqendrimi i kapaciteteve ushtarake që ndryshe do të mund të dërgoheshin për të mbështetur Kievin. Ai shtoi se vendi përfiton gjithashtu nga pakësimi i fokusit ndërkombëtar ndaj frontit ukrainas, ndërsa kriza në Lindjen e Mesme merr qendër të skenës.
Presidenti i Këshillit Evropian theksoi nevojën që Bashkimi Evropian të mbrojë rendin ndërkombëtar bazuar në rregulla, i cili, sipas tij, po sfidohet jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve në Lindjen e Mesme të kthehen në tryezën e negociatave dhe të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale.
Costa nënvizoi gjithashtu mbështetjen e BE-së për popullin e Iranit, duke theksuar të drejtën e tyre për të jetuar në paqe dhe për të vendosur për të ardhmen e tyre, dhe rikujtoi se të drejtat dhe liritë njerëzore nuk mund të arrihen përmes bombardimeve, por vetëm duke respektuar ligjin ndërkombëtar./mxh
