Dr. Skender Brataj
Ti lemë mënjan etiketimet personale. Debati për COVID-19 është shumë më i rëndësishëm se kaq.
Prandaj po bëj diçka më të thjeshtë: po marr disa nga pretendimet publike dhe po i vendos përballë burimit që citohet dhe asaj që burimi provon realisht.
1. “Fauci përdori 111 herë Amendamentin e Pestë, pra provoi konspiracionin dhe pranon fajin”
Fakti: Anthony Fauci përdori Amendamentin e Pestë 111 herë gjatë dëshmisë së 29 korrikut 2026. Komisioni i Senatit votoi më pas 8–5 për rezolutën e contempt. Kjo është e dokumentuar. (Comitato Sicurezza Nazionale)
Por çfarë nuk provon?
Përdorimi i Amendamentit të Pestë nuk është juridikisht një pranim faji dhe akoma më pak provë se Fauci ishte pjesë e një “konspiracioni për vrasjen e milionave”.
Madje brenda të njëjtit komision ekziston një debat juridik, kryetari Rand Paul argumenton se privilegji nuk duhej të zbatohej për shkak të faljes presidenciale, ndërsa demokrati Gary Peters argumenton të kundërtën dhe e konsideron mbrojtjen kushtetuese të vlefshme. (Comitato Sicurezza Nazionale)
Pra:
Fauci përdori 111 herë Amendamentin 5 dhe ky u quajt fakt.
Interpretimi: konspiracion, pranim faji!
2. Shkencëtarët që dinin të vërtetën u eliminuan!
Ky është një pretendim shumë më serioz se një debat mbi origjinën e virusit.
Në një reagim publik thuhet madje se këta njerëz “absolutisht u eliminuan dhe persekutuan për të vërtetën e tyre”.
Por për ta kthyer këtë në fakt duhen:
Emrat e personave, mënyra e vdekjes, raportet mjekoligjore, hetimet penale dhe prova që vdekja lidhej pikërisht me atë që ata dinin për COVID-19.
Pa këto, kemi një hipotezë. Jo një fakt të provuar.
3. Francis Boyle do të dëshmonte dhe u eliminua.
Vdekja e një personi pak kohë përpara një ngjarjeje të pritshme nuk demonstron vrasje.
Duhet së pari të provohet se kemi vrasje. Pastaj duhet provuar autori. Pastaj motivi.
Skema:
Do të dëshmonte por vdiq, sepse u eliminua!
Është një lidhje kronologjike, jo demonstrim i shkakut të vdekjes.
Edhe më interesant është fakti se në një shkrim të marsit 2020, Francis Boyle pretendonte se SARS-CoV-2 ishte armë biologjike:
Pra, gjithsesi këto mbeten në kuadrin e deklarimeve pa një bazë vërtetësie.
Pra në vitin 2020 kërkohej provë. Sot i njëjti person përdoret si pjesë e narrativës së “eliminimit”.
4. Event 201 është fakt real, por çfarë provon?
Po, Event 201 ka ndodhur më 18 tetor 2019.
Johns Hopkins, World Economic Forum dhe Gates Foundation organizuan një ushtrim mbi një pandemi hipotetike nga një koronavirus. (Johns Hopkins Center for Health Security)
Por Johns Hopkins e përshkruan qartë si tabletop exercise me skenar fiktiv. Virusi hipotetik niste te derrat në Brazil dhe më pas përhapej te njerëzit. (Johns Hopkins Center for Health Security)
Simulime pandemish janë zhvilluar shumë kohë para COVID-it: Dark Winter në 2001, Atlantic Storm në 2005, Clade X në 2018. (Johns Hopkins Center for Health Security)
Prandaj:
Event 201 ekzistonte nuk është fakt.
Event 201 provon se pandemia ishte planifikuar nuk është i vërtet, nuk është fakt.
5. Origjina laboratorike e virusit: debat legjitim, por jo “e vërtetë e provuar”
Këtu dua të jem shumë i qartë: hipoteza e një aksidenti laboratorik nuk duhet censuruar dhe nuk është mbyllur përfundimisht.
OBSH/SAGO deklaroi në qershor 2025 se të gjitha hipotezat duhet të mbeten në tavolinë për shkak të mungesës së disa të dhënave, përfshirë edhe një incident laboratorik. (Organizzazione Mondiale della Sanità)
Por i njëjti raport thotë se pesha e evidencës aktualisht favorizon kalimin zoonotik dhe se nuk u gjet evidencë shkencore që favorizon manipulimin e qëllimshëm të virusit ndaj proceseve natyrore. (WHO)
Pra është shkencërisht e arsyeshme të thuhet:
“Lab leak nuk është përjashtuar.”
Por nuk është e njëjta gjë me:
“DEFUSE krijoi SARS-CoV-2 dhe njerëzit që e dinin u eliminuan.”
6. “mRNA është terapi gjenike, nuk është e vërtetë absolute”
Dokumentet e FDA-së që tregojnë se mRNA mund të përdoret në terapi gjenike janë reale.
Por nëse themi:
“mRNA mund të jetë platformë e një produkti të terapisë gjenike”
nuk është e njëjta gjë:
“çdo produkt që përmban mRNA është terapi gjenike”.
EMA e ka adresuar pikërisht këtë debat. Ajo sqaron se vaksinat mRNA COVID-19 nuk klasifikohen si terapi gjenike sipas legjislacionit të BE-së, sepse nuk përdoren për të restauruar, korrigjuar apo modifikuar gjenet njerëzore. (European Medicines Agency (EMA))
Mund të debatojmë mbi terminologjinë.
Por nuk mund të themi se EMA pranon se janë terapi gjenike dhe vetëm ua ndryshoi emrin, kur EMA thotë shprehimisht të kundërtën.
7. Robert Malone është pionier i mRNA por, nuk do të thotë se është arbitër i së vërtetës.
Në postime paraqitet Robert Malone si “shpikësi” i teknologjisë mRNA dhe pastaj mendimi i tij përdoret si provë për sigurinë ose rrezikshmërinë e vaksinave.
Malone pati rol të rëndësishëm në eksperimentet e hershme të transferimit të mRNA-së me lipide.
Por teknologjia moderne mRNA është rezultat i punës së shumë studiuesve dhe dekadave të zhvillimit.
Edhe sikur Malone të ishte i vetmi shpikës, kjo përsëri nuk do të thoshte:
“Malone thotë kështu, prandaj kjo është e vërtetë.”
Në shkencë autoriteti i autorit nuk zëvendëson të dhënat.
8. “Fauci e dinte se vaksinat shkaktonin aborte dhe e fshehu”
Në shumë statuse dhe artikuj gazetash dhe media të shpërndara shfaqet pretendimi se Fauci paralajmëronte privatisht për miscarriage ndërsa publikisht thoshte se nuk kishte problem.
Por një diskutim mbi një rrezik teorik në fillim të vaksinimit nuk është njësoj me njohjen e një efekti shkakësor dhe fshehjen e tij.
Më pas u krijuan të dhëna shumë më të mëdha.
Një studim norvegjez me 4,521 aborte dhe 13,956 shtatzëni që vazhdonin nuk gjeti rritje të rrezikut të abortit pas vaksinimit. (New England Journal of Medicine)
CDC, pas të dhënave nga mbi një milion shtatzëni, raporton se vaksinimi nuk është lidhur me rritje të abortit, lindjes së parakohshme, lindjes së vdekur apo anomalive kongjenitale. (CDC)
Kjo është mënyra si funksionon shkenca:
Ngrihet një dyshim, monitorohet, mblidhen të dhëna dhe vlerësohet rreziku.
Jo:
u diskutua një mundësi, pra Fauci e dinte dhe e fshehu.
9. Long COVID dhe proteinat virale
Artikulli që u bë shkak edhe për reagimin tim ku fliste për fragmente proteinike të SARS-CoV-2 te pacientë me Long COVID.
Vetë materiali thoshte se fragmentet lidhen me RNA replicase të virusit dhe se studiuesit ende nuk dinin nëse ishin mbetje të infeksionit apo shenjë e një rezervuari viral.
Kjo është shumë interesante për biologjinë e Long COVID.
Por vaksinat Pfizer dhe Moderna nuk kodojnë mRNA replicase. Ato kodojnë Spike.
Prandaj një studim mbi fragmente të replicase pas infeksionit nuk mund të paraqitet si provë se:
mRNA e vaksinës vazhdon të prodhojë Spike për pesë vjet apo përjetësisht pasi ajo degradohet brenda një kohe të shkurtër.
Në një tjetër deklaratë publike është pohuar pikërisht se Spike vazhdon të prodhohet “edhe 5 vjet” dhe “me siguri përjetësisht”!
Kjo është një deklaratë jashtëzakonisht e fortë dhe kërkon evidencë po aq të fortë.
10. Paradoksi i vaksinës mRNA kundër melanomës.
Sot teknologjia mRNA e personalizuar kundër melanomës përshkruhet prej të njëjtëve autor si një zhvillim shumë i rëndësishëm dhe potencialisht shumë efikas.
Dhe mirë bëjnë që përshëndesin progresin.
Por këtu lind një pyetje metodologjike.
Kur mRNA përdoret kundër COVID-19:
Hyrja e mRNA-së në qelizë dhe prodhimi i antigjenit paraqiten si argument se kemi të bëjmë me “terapi gjenike”.
Kur i njëjti parim përdoret për neoantigjenet e melanomës:
Teknologjia konsiderohet premtuese, por kundërshtohet fjala “vaksinë” sepse, sipas argumentit, kanceri nuk është sëmundje infektive.
Ky argument nuk qëndron imunologjikisht.
Ekzistojnë prej shumë vitesh vaksina terapeutike kundër kancerit. “Vaksinë” nuk do të thotë domosdoshmërisht vetëm parandalim i një infeksioni; mund të jetë edhe stimulim specifik i sistemit imunitar kundër antigjeneve tumorale.
Dhe këtu qëndron problemi im
Unë nuk kam asnjë problem me skepticizmin.
Kam qenë dhe jam për transparencën mbi vaksinat.
Për raportimin e efekteve anësore.
Për diskutimin e miokarditit.
Për analizën e risk–benefit sipas moshës.
Për hetimin e origjinës së SARS-CoV-2.
Për kritikën ndaj Fauci-t, OBSH-së, EMA-s, FDA-së apo çdo qeverie kur faktet e kërkojnë.
Sepse kjo është shkencë.
Por shkenca ka edhe një rregull tjetër:
Forca e përfundimit duhet të jetë proporcionale me forcën e provës.
Nuk mund të kalojmë:
nga dokumenti te dyshimi,
nga dyshimi te hipoteza,
nga hipoteza te siguria,
nga siguria te akuza për krim,
dhe nga akuza për krim te një “konspiracion botëror”
pa sjellë provat që lidhin secilën hallkë.
As unë nuk duhet të besohem sepse jam mjek.
As titulli profesor.
As Robert Malone sepse ishte pionier i mRNA-së.
As Fauci sepse drejtoi NIAID.
As OBSH, FDA apo EMA vetëm sepse janë institucione.
Burimi duhet lexuar. Metoda duhet kontrolluar. Të dhënat duhet verifikuar. Dhe vetëm pastaj nxirret përfundimi.
Prandaj pyetja ime nuk është:
“Kush është konspiracionist?”
Pyetja ime është shumë më e thjeshtë:
Ku mbaron ajo që dokumenti provon dhe ku fillon ajo që ne duam të besojmë se dokumenti provon?
Aty fillon dallimi midis shkencës dhe pseudoshkencës.
