Last Updated on 27/12/2024 by adminfjala
Ish-ministri i Partisë Socialiste Arben Malaj pretendon ftesë për bashkëpunim nga kreu i Partisë Mundësia e Agron Shehaj, por ky i fundit i ka mohuar në mëmyrë kategorike duke thënë se nuk do të ketë në këtë parti figura socialiste.
Një përplasje publike ka nisur mes ish-ministrit socialist Arben Malaj dhe liderit të partisë së re “Mundësia”, Agron Shehaj. Malaj ka publikuar një status në rrjetet sociale, ku pretendon se ka marrë një ftesë për t’u bërë pjesë e strukturave të partisë së Shehajt. Ai thotë se është kontaktuar nga një përfaqësuese e partisë, e cila i ka ofruar postin e nënkryetarit të Njësisë Nr. 5 në Tiranë. Sipas Malajt, ai e ka refuzuar këtë ofertë, duke theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj idealeve të së majtës dhe nuk është i interesuar për “kërcime politike” mes partive. Në një postim të gjatë, ai e ka cilësuar nismën e Shehajt si agresive dhe të papërshtatshme për të bërë një ndryshim real në politikën shqiptare. Malaj ka shkruar ndër të tjera: “Respektoj pluralizmin dhe përpjekjet për të ndryshuar politikën, por një ftesë spontane, pa njohje dhe respekt për kontributet e mia, nuk mund të pranohej. Nuk bëhem pjesë e projekteve që nuk paraqesin një platformë të qartë dhe të besueshme për reforma në politikë dhe ekonomi.” Arben Malaj, në statusin e tij të gjatë në rrjetet sociale, ka bërë thirrje për një përmirësim rrënjësor të cilësisë së debatit publik dhe të platformave politike në vend. Ai ka kritikuar ashpër modelin aktual të partive politike shqiptare, duke theksuar se ato funksionojnë si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku liderët e tyre janë aksionarë të vetëm. Sipas Malajt, ky model ka minuar demokracinë e brendshme dhe ka ndikuar negativisht në përfaqësimin politik në Shqipëri. Në përgjigje të zërave që sugjerojnë se ai mund të jetë duke kërkuar një rikthim në politikë për qëllime karrieriste, Malaj është shprehur i prerë se nuk është i interesuar për poste apo privilegje. Ai ka vënë theksin te integriteti si një vlerë e palëkundur e karrierës së tij politike, duke theksuar se nuk do të zhgënjejë asnjëherë ata që i kanë besuar. Ndërsa vlerësoi përpjekjet e Agron Shehajt për të ristrukturuar të djathtën, Malaj nënvizoi se politikat që mbështesin ekonominë sociale të tregut janë prioriteti i tij dhe një arsye pse ai i qëndron besnik së majtës progresive. Ai ka shprehur skepticizëm mbi retorikën agresive të Shehajt, duke e cilësuar si një taktikë të konsumuar që nuk sjell përmirësime të prekshme për qytetarët.
Reagimi i Shehajt: Asnjë ish-ministër i majtë në partinë tonë
Agron Shehaj, nga ana tjetër, ka reaguar me tone të ashpra, duke mohuar kategorikisht se i është bërë ndonjë ofertë Arben Malajt. Në një deklaratë publike, Shehaj ka theksuar se partia e tij nuk përfshin dhe nuk do të përfshijë ish-ministra apo zyrtarë të majtë në strukturat e saj. “Partia Mundësia përgënjeshtron pretendimet e ish-ministrit Malaj. Ne kemi nisur një fushatë të hapur për të kontaktuar qytetarët, por kjo nuk përfshin ofertimin e posteve partiake. Ftesat tona janë publike dhe u drejtohen shqiptarëve që identifikohen me vlerat e djathta. Ky model na dallon nga të tjerët, dhe nuk ka asnjë lidhje me pretendimet e z. Malaj,” deklaroi Shehaj. Ai e akuzoi Malajn për “keqinterpretim të ftesave publike” dhe tha se Partia Mundësia synon një qasje të re, të bazuar në platforma të hapura, dhe jo në pazare politike. Kjo përplasje mes dy figurave ka ngjallur debate në rrjetet sociale, ku mbështetësit e secilës palë kanë reaguar me komente të ndryshme. Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar, ndërsa Malaj dhe Shehaj vazhdojnë të mbajnë qëndrime të kundërta mbi këtë çështje.