Aktori dhe poeti Çun Lajçi ka reaguar ashpër për debatet rreth Gjykatës Speciale dhe qëndrimeve ndaj saj. Duke iu referuar deklaratave të ish-presidentit Hashim Thaçi për themelimin e Gjykatës, Lajçi kritikon ata që, sipas tij, sot kërkojnë shfuqizimin e saj, ndërsa thekson se UÇK-ja nuk duhet të përdoret për interesa politike apo personale.
“UÇK-në e kemi n’gjak e n’zemra”, shkruan Lajçi, duke nënvizuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte e një partie apo e një krahu politik, por, sipas tij, e djemve dhe vajzave të Kosovës.
Reagimi i plotë:
Po citoj fjalët e ish-Presidentit të Kosovës:
“Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet
dhe nuk do të shfuqizohet.
Ky asht qëndrim i shtetit të Kosovës.
Dhe e themelojmë Gjykatën se nuk kemi pse frikësohemi…”
— Hashim Thaçi, 1 shkurt 2018. (Radio Evropa e Lirë)
Nuk po m’vjen mirë që po e citoj, por dikush duhet t’ju tregojë këtyne që na shajnë neve, kinse jemi kundër UÇK-së, se ne UÇK-në e kemi n’damarët e zemrës e jo n’kapelat që shiten me pare; jo n’flamujt që mbështjellin gabime e faje, jo në slloganet fallco!
Ne UÇK-në e kemi betim, e jo bukë që hahet me marre.
Nëse jemi për Hashimin, atëherë duhet t’jemi edhe për fjalët që i ka thanë.
Tash, si do ta zhbani atë që e batë kur ju duheshin gradat, paret e postet?!
Këtë ma thoni.
Viteve ’90, nji plak gjerman po i thoshte poetit Azem Shkreli, në Dortmund:
— Muri i Berlinit u rrëzue, se Gjermania kurrë s’e pati nënshkrue ndamjen.
Dhe vazhdoi:
— Si do ta bashkoni ju Kosovën me Shqipninë, kur vetë Enver Hoxha e vuni firmën e humbjes së Krahinës?
— Nënshkrimet e funksionarëve janë të rrezikshme dhe gati-gati të pashlyeshme, tha dhe shkoi të tavolina e vet!
Prandaj i thoni Guncatit e turmes që sot brohorasin për zhbamjen e Gjykatës:
Themelimin e saj e votuan institucionet e Kosovës me thirrjen e Thaçit e Edi Ramës.
– Nuk mund ta fshijmë të djeshmen vetëm pse sot na dhemb e vërteta e saj.
E mos u mbështjellni as me kapuça, as me flamujt e UÇK-së.
UÇK-në ne e kemi n’gjak e n’zemra.
Ajo ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
E ushtria ishin djemtë e vajzat tona.
Kurrë e nji krahine.
Kurrë e nji partie.
Mjaft ma me mashtrime.
Mjaft ma me rrena.
Rrnoftë gjaku i Adem Jasharit!
Rrnoftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!
Për jetë e mot, Kosova e lirë dhe e mirë!/ad
