Last Updated on 06/08/2026 by Kesjana
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 vijojnë të jenë aktive.
Sipas njoftimit zyrtar, në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse, 631 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturat dhe njësitë e qeverisjes vendore.
Një nga vatrat më problematike mbetet ajo në zonën e Dajtit, ku vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e forcave zjarrfikëse, Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe 50 efektivëve të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të operacionit po vepron edhe avioni “Air Tractor”, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në fshatrat Riban dhe Ngraçan të bashkisë Mallakastër, situata po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar nga toka dhe ajri. Në operacion janë përfshirë zjarrfikës nga disa bashki, strukturat policore e vendore, vullnetarë, efektivë të Forcave të Armatosura, helikopterë dhe avioni “Air Tractor”. Për arsye sigurie janë evakuuar përkohësisht katër familje.
Në qarkun e Elbasanit vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri në Shqiponjë është nën kontroll, vatra në malin e Dardhës është izoluar, ndërsa në Mjekës po punohet për shuarjen përfundimtare. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, në Kostren të Beratit po kryhet monitorimi i zonës, ndërsa zjarri në Pocest të Dibrës është shuar. Po ashtu janë shuar dhe mbahen në monitorim vatrat në zonën Stegopull–Selckë dhe në Levenishtë të qarkut Gjirokastër.
Si pasojë e zjarreve janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier, ndërsa sipërfaqja e dëmtuar nga vatrat ende aktive vijon të jetë në proces vlerësimi.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile bëjnë të ditur se po vazhdojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin e vendit./kb
