Manikyri i kuq po rikthehet fuqishëm këtë vjeshtë dhe Dakota Johnson sapo i dha një tjetër arsye këtij trendi për të marrë vëmendjen.
Aktorja, e cila zakonisht preferon thonjtë në nuanca natyrale dhe të buta, u shfaq në ceremoninë e MTV VMAs 2026 me një manikyr klasik në të kuqe domateje, duke i dhënë një pamje krejt tjetër një prej stileve më të njohura të manikyrit.

Thonjtë e kuq, veçanërisht ata të gjatë dhe në formë bajameje, me një nënton portokalli, po bëjnë një rikthim për vjeshtën 2026. Në fakt, e kuqja nuk është zhdukur kurrë plotësisht, por prej një kohe të gjatë vëmendjen e kanë marrë manikyrët natyralë, nga nuancat nude deri te thonjtë me pamje qumështore. Në tapetet e kuq, këto zgjedhje kanë qenë veçanërisht të pranishme.
Dakota Johnson ka qenë gjithashtu një nga emrat që lidhen më shumë me thonjtë natyralë. Aktorja nuk është zakonisht ndër personazhet që zgjedhin manikyrë të guximshëm, por në VMAs vendosi të bëjë një ndryshim dhe zgjodhi një të kuqe të ndezur, me nuancë domateje.

Manikyri kishte një frymë të theksuar të viteve ’50 dhe ishte një mënyrë e thjeshtë për t’i shtuar ngjyrë fustanit të bardhë Valentino që Dakota veshi në ceremoni. Ajo mori pjesë në event për t’i dorëzuar shoqes së saj, Taylor Swift, çmimin “Artist Director Honors”.

Zgjedhja e saj mund të jetë një sinjal se e kuqja domate do të jetë ndër nuancat më të kërkuara të vjeshtë-dimrit 2026. Kjo nuancë ka një bazë të ngrohtë, me një prekje portokalli, dhe sipas estetistes së thonjve të Dakota-s, Ashlie Johnson, mund t’i japë më shumë gjallëri pamjes së duarve.

Ndryshe nga të kuqet me nënton blu, nuancat e kuqe me një prekje portokalli mund të jenë më të përshtatshme për shumë tone lëkure, duke krijuar një efekt më të ngrohtë dhe të ndritshëm.
Pra, nëse deri tani ke qëndruar te manikyri nude ose te nuancat shumë të zbehta, Dakota Johnson po sugjeron një alternativë më të guximshme për muajt e ftohtë: të kuqen klasike, por në versionin e saj më të ngrohtë./k.m
