Një operacion i rrallë dhe me rrezik të lartë ka përfunduar me sukses për forcat amerikane, pasi një pilot i plagosur u shpëtua në territorin e Iranit.
Senatori amerikan Dave McCormick deklaroi se piloti kishte arritur të ngjitej rreth 7 mijë këmbë, ose mbi 2 mijë metra, në një zonë malore, pavarësisht plagëve të marra, përpara se të lokalizohej dhe të evakuohej nga forcat speciale.
Në një intervistë për Fox News Sunday, McCormick theksoi se operacioni përfshiu qindra trupa speciale dhe mjete ajrore, duke e cilësuar atë si një nga ndërhyrjet më të sofistikuara të ushtrisë amerikane.
Sipas tij, piloti arriti në një pikë të mundshme evakuimi, edhe pse i dëmtuar, çka bëri të mundur shpëtimin. Ai e cilësoi ushtarin si “hero”, ndërsa vlerësoi edhe rolin e shërbimeve inteligjente në lokalizimin e tij.
Ngjarja lidhet me rrëzimin e një avioni ushtarak amerikan, që sipas autoriteteve iraniane u godit nga mbrojtja ajrore e Iran disa ditë më parë.
Sipas raportimeve, një prej anëtarëve të ekuipazhit ishte shpëtuar më herët, ndërsa për pilotin e dytë kishte nisur një operacion i gjerë kërkimi nga të dyja palët.
Ndërkohë, mediat iraniane raportojnë se gjatë misionit të shpëtimit janë shkatërruar disa mjete ajrore, një pretendim që nuk është konfirmuar nga pala amerikane.
Operacioni konsiderohet një demonstrim i kapaciteteve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në ndërhyrje të shpejta dhe të koordinuara në zona me rrezik të lartë./mxh
